E Diel, 1 Nëntor 2026

Pozitë-opozitë debate për korrupsionin

Autori i Lajmit: red.
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë debatuar ashpër për raportin e “Transparency International” për korrupsionin në Shqipëri. Deputetët socialistë u shprehën se korrupsioni gjatë këtij viti ka shënuar rritje dhe jo ulje. Ata shtuan se provë e korrupsioni ka qenë edhe tragjedia e Gërdecit, duke bërë thirrje që ngjarja të zbardhet sa më parë dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë. “Askush nuk ka dyshim që krimi shtetëror i Gërdecit ka për autor ata që kryenin trafikun ilegal të armëve, ata që bënin ligje në dobi të këtij trafiku”, - u shpreh deputeti socialist, Taulant Balla. Ai tha më tej se dëshmitë e reja të bëra publike pak ditë më parë në media kanë rikonfirmuar shqetësimin se, me dijeni të plotë, qeveritarë shqiptarë i shisnin Departamentit Amerikan të Mbrojtjes fishekë dhe municione të tjera kineze me ambalazhime “Made in Albania”. Sipas Ballës, faktet e reja përgënjeshtruan deponime të rreme në këtë sallë, nga njerëz me dijeni të plotë dhe të hollësishme për këtë biznes vrastar dhe për këta grabitqarë të pasurive kombëtare. “Prokuroria duhet t i marrë në shqyrtim provat e reja filmike dhe dëshmitë e dy punonjësve, dëshmi të cilat vijnë në dobi të zbardhjes së plotë të kësaj tragjedie dhe të këtij krimi makabër me autorësi shtetërore”, - tha ai. Përballë këtyre qëndrimeve të opozitës, foli deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe këtë e fakton TI në raportin e fundit. “Banka Botërore dhe TI kanë vlerësuar kthimin që po bën Shqipëria në fushën e biznesit dhe atë të korrupsionit”, - u shpreh Bumçi. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, siguroi të enjten në Kuvend se Qeveria do të vijojë të marrë masa emergjente në luftën kundër korrupsionit. Duke iu referuar raportit të fundit të “Transparency Inernational”, Bode theksoi se sukseset e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit janë rezultat i vullnetit politik të qeverisjes me duar të pastra . Ndërsa ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, kërkoi në Kuvend që opozita të tregohet realiste dhe të bëhet pjesë e zhvillimeve pozitive në vend. Dy ditë më parë TI publikoi raportin mbi rezultatet e indeksit të perceptimit të korrupsionit CPI 2008, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 85-të, nga vendi i 105-të që ishte një vit më parë.

Ky lajm është publikuar: 26/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›