E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosova, shansi i fundit për Evropën

12/03/2005  Kosova sërish në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar. Vajtja e ish- kryeministrit Hajradinaj në Hagë i ka lënë me gojën hapur të gjithë ata që kanë patur akoma dyshime në pjekurinë e politikës së re shqiptare në Kosovë. Fasada e marrëveshjeve të fshehta, që disa vende evropiane kanë me Serbinë, duket se po jep efektet e saj, disa vite pas luftës pë liri të pupullit shqiptar dhe ndërhyrjes së NATO-s për ndaljen e masakrës serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Shumë analistë dhe njerëz të politikës tashmë e kanë kuptuar se e vetmja zgjidhje e problemit është pavarësia e Kosovës. Një pavarësi pa asnjë lloj kushti, por një pavarësi e mbikëqyrur ashtu siç çdo vend demokartik shikon ecurinë e një vendi, që pervojën demokratike e ka jo disa vite pas Luftë së Dytë Botërore, por disa dekada më pas.

Qëndrimet e lëkundura të disa vendeve evropiane, duke u munduar të ruajnë koniunkturat e relacionet e vjetra të kohrave kur "demokracia" mbretëronte thekshëm në Evropë, është totalisht e gabuar dhe e papranueshme me aktualitetin në të cilin jetojmë. Nuk është ndonjë veshtirësi e madhe, që intelektualët evropianë dhe përfaqësuesit e tyre politike ta kuptojnë së të detyrosh dikë të pranojë jetesën me dikë tjetër, për arsye të pakuptueshme e aspak historike, apo humanitare është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Investimi që bëri për Kosovën njëri nga luftëtarët e lirisë së saj, që deri para pak ditësh ishte Kryeministër, duhet të shpërblehet. Investimi i Hajradinajt është ndëkombëtar, pasi të gjithë ata që akuzohen duhet të paraqiten para akuzuesve të tyre e kështu të kenë mundësi të mbrohen, por, edhe nëse zihen në faj, të kenë mundësinë të kërkojnë një ditë falje publike për ato çka kanë bërë. Vajtja e tij në Hagë është një leksion për vendet e Ballkanit, por edhe për ato të Evropës dhe më gjerë. Me atë që bëri Hajradinaj, megjithëse nuk ka nevojë t’i kërkojë falje askujt, i tregoi botës mbarë se shqiptarët dinë të respektojnë rregullat demokratike dhe principet, mbi të cilat po ndërtohet bota moderne. E pas kësaj, evropianët duhet t’i fshijnë sklubet nga sytë e të shikojnë drejt e përballë realitetin e të mos hezitojnë për të vendosur për të ardhmen e Kosovës. Nëse evropianët vazhdojnë të mendojnë si para dy shekujsh për shqiptarët, atëherë forca e demokracisë ka filluar sërish ta braktisë kontinentin plakë, si dikur. E bashkë me këtë braktisje, demokratikisht e në heshtje, shqiptarët janë ata që po presin vetëm vendosjen në vend të padrejtësive që paraardhësit e kësaj Evrope të "bashkuar" kanë bërë dikur, shumë vite më parë, kur ishin shumë të ndarë e ndanin tokat e të tjerve. Nuk është kurrë vonë të korrigjohemi, ose "ma mirë vonë se kurrë". Demokracia dhe paqja në Ballkan është në duart e Evropës. Po e themi të Evropës për të qenë të sjellshëm dhe respektues ndaj bashkëkontinentasve tanë. Shqiptarët si vendlindja e Nënës së Madhe Tereza duhet t’i lënë një shans Evropës të korrigjohet dhe nëse evropianët nuk e bëjnë një gjë të tillë shpejt dhe në kohën e duhur, sytë e shqiptarëve do të kthehen totalisht tek ata që paguan çlirimin e Kosovës, andej nga ku era e lirisë vjen më shpejt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›