E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shoqëria Civile dhe Opinioni Publik!

12/03/2005  Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit

Pak histori për Shoqërinë Civile në Shqipëri

Shndërrimet demokratike të viteve ’90-të e gjetën vendin me një nivel kolektivizmi të tejskajshëm, dhe të injektuar keqazi nga strukturat partiake. Reagimi i parë i shoqërisë shqiptare ishte inercia drejt individualizmit po kaq ekstrem, shoqëruar nga mosbesimi total ndaj njëri-tjetri, përjashto prirjen për t’u organizuar politikisht. Një situatë e tillë e ngadalësoi procesin e emancipimit të shoqërisë shqiptare. Për zbutjen e boshllëkut të sipërpërmendur, rol të rëndësishëm luajti pjesa më e përparuar e shoqërisë, kryesisht elita intelektuale. Kjo u plotësua më tej nga mbështetja financiare që dha komuniteti ndërkombëtar për krijimin e strukturave ndërmjetëse (OJQ-të) drejt konsolidimit të shoqërisë civile. Ndaj, ngritja e këtyre strukturave, që plotësojnë vakuumin drejt shoqërisë civile, u bë realisht një domosdoshmëri në Shqipërinë postkomuniste.

Në fillim të viteve ‘90-të, OJQ-të ishin të pakta në numër, por më vonë pati një rritje të ndjeshme dhe krijimi i shumë organizatave të tilla u bë gati modë. Periudha e luftës në Kosovë pati një ndikim të veçantë për këtë sektor. Të rrethuar nga nevojat ekzistencialiste të refugjatëve të keqtrajtuar, shumica e OJQ-ve u shndërruan praktikisht në “shpërndarëse ndihmash”, duke iu përshtatur nevojave të emergjencës dhe më pas të rehabilitimit. Fatkeqësisht, kjo situatë dëmtoi seriozisht procesin e zhvillimit të shoqërisë civile në Shqipëri, ndërkohë që vendi sapo kishte dalë nga kriza e 1997-ës. Rrjedhojë e kësaj ishte ’lulëzimi’ i dhjetëra OJQ-ve, të cilat përfituan për t’u punësuar nga një vërshim fondesh nga donatorë të huaj, të cilët u shfaqën e u larguan me të njëjtën shpejtësi nga skena, e pa vështruar prapa. Sot, vihet re një rënie e ndjeshme e donatorëve të huaj që mbështesin OJQ-të vendase, madje ata po largohen përfundimisht nga Shqipëria!

Shumicës së OJQ-ve në vend u duhet të ’luftojne’ sot për sigurimin e ’mbijetesës’ dhe vazhdimësinë e aktiviteteve të tyre. Disa syresh e kanë sigurimin e fondeve qëllim në vetvete, ndërsa disa të tjera nuk arrijnë ende të kuptojnë se sigurimi i fondeve nuk është mënyra e vetme për të punuar, pasi shoqëria shqiptare me problematikën e saj, përpara se të vihet në provë për të bërë diçka konkrete, duhet të ndërgjegjësohet dhe aftësohet. Prandaj në shumicën e rasteve, lidhjet me anëtarësinë ose komunitetet, të cilave u shërbejnë, mbetën mjaft të dobëta. Madje, nuk bëhet fjalë as për bashkërendim me pushtetin vendor e qendror, të cilët shpesh shikohen si armiq. Megjithatë, nuk mund të përjashtohen edhe rastet e suksesshme të disa organizatave me reputacion në fushën e reduktimit të varfërisë, zhvillimit të iniciativës qytetare, lobimit, avokatësisë etj.

Çfarë janë OJQ-të?

Praktika botërore identifikon me sektorin joqeveritar organizime mbi baza vullnetare (OJQ) ose struktura profesionale jofitimprurëse (OJF), të cilët mbështesin grupe të caktuara të popullsisë në nevojë për asistencë. Ato janë aktive në mobilizimin e fondeve për projekte zhvillimi, dhe zakonisht kanë një nivel të lartë përkushtimi dhe aftësie teknike. OJQ-të janë zakonisht fleksibël dhe kanë aftësi të influencojnë politikisht shoqërinë. Ato punojnë me komunitetet, me qeverinë, me institucionet ndërkombëtare të zhvillimit, dhe me koalicione që variojnë nga forma dhe madhësia. OJQ-të zakonisht bazohen tek anëtarësia e vullnetarizmi, kurse OJF-të te profesionalizmi dhe përkushtimi ndaj një çështje/bindje të caktuar. Strukturat përfaqësuese të komunitetit janë organizma (të zyrtarizuara ose jo), që përfaqësojnë grupe sociale me interesa të përbashkëta, të cilët jetojnë ose punojnë në të njëjtin ambient. Ato operojnë zakonisht në territore të kufizuara gjeografike, si lagjja, puna, apo një fushë profesionale e caktuar. Ato kanë interesa të përbashkëta me qeverinë vendore, janë fleksibël, dhe njohin mirë çdo anëtar të komunitetit, por aftësitë e tyre financiare janë të kufizuara ndaj anëtarët e tyre zakonisht kontribuojnë me kuotat e anëtarësisë. Organizatat komunitare kanë aftësi të kufizuara profesionale, dhe kapacitete të ulëta për t’u fokusuar në çështje prioritare, por presioni i tyre politik shpesh ka influencë të madhe.

Format më të njohura të organizimit të shoqërisë civile në Shqipëri janë organizata joqeveritare (OJQ) dhe jofitimprurëse (OJF). Indeksi i USAID 2003 thekson se ekzistojnë maksimumi 800 OJQ/F në Shqipëri, 250 prej të cilave janë realisht vepruese. OJQ/F-të më të konsoliduara gjenden në Tiranë. Bashkëpunimi midis OJQ-ve lokale ekziston, por në shume raste mbështetet në marrëdhënie vetjake dhe ka pak qendrueshmëri të mbështetur në profesionalizëm e bashkëpunim të vërtetë. Disa raporte e përshkruajnë mjedisin e OJQ-ve tejet konkurrues e shpesh përçarës. Fatkeqësisht, shumë nga këto iniciativa nuk bazohen te mbështeja dhe financimet lokale, sidomos e grupeve sociale, interesat e të cilave duhet të mbrojnë. Nëse krijimi i këtyre strukturave erdhi si rezultat i nevojës, materializimi i tyre zakonisht u shoqërua nga procedura e filozofi të gatshme, dhe sidomos me financime të huazuara nga burime të huaja, gjë që pothuajse i ka hequr sektorit dëshirën dhe forcën për t’u angazhuar e prononcuar me kurajo civile mbi problemet komplekse, që pengojnë zhvillimin e vendit. Edhe pse ky fakt nuk duhet konsideruar tërësisht si gabim (kështu u bë e mundur të ’implantoheshin’ eksperienca dhe mentalitete të reja për shoqërinë shqiptare), në të vërtetë kjo i shndërroi OJQ-të në struktura tërësisht të komercializuara të biznesit jofitimprurës.

Çfarë është Shoqëria Civile?

Në praktikën e përditshme, shoqëria civile konceptohet me OJQ-të - struktura që punojnë për komunitetet, për segmentet e përjashtuara dhe pambrojtura të shoqërisë, për njerëzit e varfër, si dhe për observimin e tyre si një entitet. Kjo është e gabuar, jo vetëm se ekziston rreziku të kufizojmë veten, porse shoqëria civile është shumë më tepër se një grup OJQ-sh të marra së bashku. Mbi të gjitha, shoqëria civile është një qëndrim, një ideologji, e cila përfshin veç të tjerave mundësimin e ambientit të nevojshëm në favor të grupeve të ekskluduara të shoqërisë dhe të OJQ-ve, që punojnë për këto grupe. Shoqëria civile është një realitet i observueshëm, është të qenit pjesë e një grupimi apo organizimi me qëllime kolektive, që synon t’i japin formë zhvillimit dhe demokracisë në vend. Ky koncept i shoqërisë civile, si një alternative e tretë, përfshin faktin që ajo qëndron jashtë ndikimit të strukturave të shtetit dhe të tregut (biznesit privat). Shoqëria civile është thelbësore, për të patur drejtësi e vlera sociale dhe një tërësi institucionesh demokratike. Ky koncept përfshin edhe institucionet akademike-kërkimore, artin, mediat, sindikatat etj., por ekzistojnë edhe forma të tjera, më pak të organizuara dhe të institucionalizuara, si psh., përfaqësitë e komuniteteve dhe nismat qytetare.

ǒpo ndodh me Sektorin e Tretë në Shqipëri?

Kohët e fundit po flitet gjithnjë e më shumë për rolin e shoqërisë civile në zhvillimin e vendit, dhe në këtë kuadër edhe për të ashtuquajtuarin ‘Sektori i Tretë’ - atë joqeveritar. Në përgjithësi vihet re një opinion jo shumë pozitiv! Madje, me gjithë punën e madhe që është bërë, ka mjaft rezerva për rolin e këtij sektori, për impaktin/efiçencën e tij reale, për treguesit e punës së tij, dhe sidomos për transparencën e fondeve të vëna në dispozicion. Shumë nga ato që thuhen mund të jenë të vërteta, po në mjaft raste vihet re një tendencë e panevojshme - gati mllef - e cila buron qartësisht nga moskuptimi i asaj se çfarë është shoqëria civile, çfarë janë OJQ-të etj. Natyrisht, duhet pranuar se ky moskuptim qëndron sa për shkaqe të jashtme, aq edhe të vetë sektorit joqeveritar.

Situata e krijuar, nuk mbështetet as nga media, shteti, apo institucionet ligjvënëse e vendimmarrësit. Në maj 2001, parlamenti miratoi ligjin e ri për OJQ-të, duke i quajtuar organizata jofitimprurëse (OJF), duke reflektuar mentalitetin që i shikon këto struktura si thasë me para dhe jo si vlera profesionale e mision qytetar, sidomos për rolin e tyre opozitar dhe monitorues, në favor të shoqërisë. Kjo nuk është pa shkak! Ligji i ri u bë në mënyrë jo transparente. Qeveria shfaqi moskuptim të sektorit dhe tendenca për të vendosur kontroll. Edhe ’konsensusi’ që u arrit, u mundësua nën presionin e institucioneve të huaja. Sidoqoftë, duhet pranuar se një ligj i tillë u lejon tashmë OJQ-ve të përfshihen në aktivitete jofitimprurëse, që gjenerojnë të ardhura në favor të qëllimit, për të cilin ato punojnë. Pikërisht, pjesa që ka të bëjë me detyrimet financiare, çuditërisht është lënë për t’u ‘hartuar’ më vonë, dhe përbën potencialisht një precendent të rrezikshëm për abuzim nga adminisitrata publike, përmes organeve tatimore.

Gabimet kryesore që bëhen kundrejt Shoqërisë Civile

(i) Thjeshtëzimi - Ekziston rreziku i të parit të “shoqërisë civile” si kura e të gjitha sëmundjeve sociale, gjë që nuk qëndron. (OJQ-të janë të mira, qeveria është e keqe!) Përkundrazi, çështja shtrohet si mund të ndikohen nga jashtë sektorët e tjerë - shteti dhe biznesi privat - në mënyrë që të lejojnë dhe inkurajojnë ‘lulëzimin’ e shoqërisë civile.

(ii) Instrumentalizimi - Strukturat e shoqërisë civile janë nën ‘rrezikun’ e të përdorurit nga donatorët/agjencitë e zhvillimit ndërkombëtar dhe vetë qeveria, si instrumente për një qëllim të caktuar. Kjo gjë i heq fuqinë OJQ-ve për të përcaktuar vetë prioritetet e tyre. Largimi i papritur i donatorëve të huaj, pas krizës kosovare, bashkëpunimi me OJQ-të, thjesht për të vjelë financimet e tyre, përfshirja fasadë e tyre në hartimin e politikave qeveritare etj., janë raste tipike.

(iii) Funksionimi – Në lidhje me kapacitetin ndërtues të strukturave të shoqërisë civile, shpesh theksi vihet mbi projektet, aftësitë për disbursimin e fondeve dhe shpenzimet, afatet e përcaktuara kohore për zbatimin e projekteve etj, - sesa mbi vetë proceset, të cilat sjellin ndryshimin e mentalitetit dhe zhvillim. Këtu futet edhe tendenca për të financuar organizatat që kanë kontakte, sesa ato që bëjnë punën e vërtetë.

Komente kritike:

1. Një çështje e rëndësishme është prezenca e OJQ-ve të huaja në Shqipëri. Përveç rolit të tyre pozitiv në ngritjen fillestare të sektorit joqeveritar vendas, sot ato nuk duken shumë të interesuara për zhvillimin e këtij sektori, duke iu trembur konkurrencës. Në këtë aspekt duhet parë më me kujdes vazhdimësia e prezencës së tyre, në favor të zhvillimit lokal. Një studim për një nga agjencitë ndërkombëtare kryesore të zhvillimit në vend, nxori se nga 14 struktura të saj, popullsia lokale njihte vetëm 3-4, ndërsa 80% e projekteve ishin zbatuar tërësisht nga OJQ-të vendase, por kjo anashkalohet me qëllim.

2. Vitet e fundit natyrshëm është krijuar konkurrenca midis OJQ-ve vendase. Sidoqoftë, në disa raste, ajo është e pandershme dhe cënon vlerat, për të cilat këto struktura janë formuar. Keqpërdorimi i OJQ-ve nga politikanë të caktuar si alternativa punësimi kur humbin postet; reputacioni në rënie dhe akuzat për ’korrupsion’, e bëjnë urgjente formulimin e një marrëveshje për Kodin Etik të OJQ-ve! Vendosja e normave dhe standardeve të performancës/profesionalizmit, indikatorëve të suksesit, transparencës etj., janë imediate, me qëllim që të sigurohen shërbime sa më të mira ndaj komuniteteve, të luhet më mirë roli oponent në favor të shoqërisë, dhe të respektohen morali.

3. Edhe pse legjislacioni i OJQ-ve është përmirësuar ndjeshëm, përsëri ekziston rreziku i kontrollit nga shteti, përmes instrumenteve fiskale? Paketa fiskale, që u premtua të hartohet, përmes një procesi bashkëpunimi të administratës publike me OJQ-të, po bëhet fakt nën rrogoz dhe në anonimitet. Me ’tharjen’ e financimeve dhe donacioneve të huaja për OJQ-të shqiptare, dilema është evidente. Edhe pse ilaçi i vetëm i kësaj është inspirimi i kontributeve dhe filantropisë lokale, pyetja shtrohet: po shteti dhe biznesi a kanë rol. A ka vend për lobim dhe bashkëpunim për të ruajtur ekspertizën e shkëlqyer të këtij sektori, apo do të nxitet emigrimi i trurit përmes indiferencës? Për sa i përket kësaj pike, alarmante është mungesa e strukturave koordinuese midis vetë OJQ-ve.

4. Ёshtë bërë mjaft e nevojshme përgatitja e një studimi për sektorin e OJQ-ve, si dhe hartimi i një ’database’ për gjithë ekspertizën e kualifikuar, që mund të ofrojnë këto struktura sipas fushave përkatëse. Kjo duhet të shoqërohet me dy procese thelbësore komunikimi në favor të zhvillimit në vend: i) me qeverinë shqiptare, ii) dhe me biznesin vendas. Ky i fundit mund të bëhet i interesuar të bashkëfinancojë iniciativa qytetare kundrejt lehtësimeve fiskale, por kjo kërkon lobim në parlament dhe qeveri. Edhe Qeveria shqiptare duhet të mendoj për të rezervuar nga buxheti i saj (edhe pse modest) një përqindje të caktuar të destinuar për qëllime zhvillimi. Këto financime mund t’i delegohen OJQ-ve për zbatimin e shërbimeve të caktuara, sidomos në rastet kur pushteti vendor nuk ka mundësi reale apo kapacitete për t’i menaxhuar ato.

5. Ёshtë emergjente zhvillimi i një politike sektoriale të koordinuar për marrëdhëniet me publikun, përfshi përmirësimin e informacionit dhe imazhit kundrejt shoqërisë, në mënyrë që të krijohet besim dhe kooperim. OJQ-të duhet patjetër të pasqyrojnë publikisht dhe me transparencë veprimtarinë dhe impaktin e tyre. Ato duhet të aktivizohen më me kurajo në jetën dhe momentet kyçe politike, ekonomike e sociale të vendit. Prononcimi pro ose kundra për çështje të caktuara nuk do të thotë aspak rreshtim politik, por pozicionim në favor të zhvillimit dhe progresit.

6. Organizimi i një tryeze të rrumbullakët me OJQ-të që kanë rezultate konkrete, janë transparente dhe kanë mentalitet progresiv, mund të jetë fillimi i një procesi vetërregullimi për gjithë sektorin. Kjo do të përmirësonte komunikimin edhe me palët e treta. Ёshtë thelbësore që iniciativa të kurorëzohet me organizimin e një procesi të hapur demokratik me këdo që dëshiron të aderoj vullnetarisht në një strukturë koordinuese kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›