E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova shtet, Meta: Në 2010-ën, lobim më të fortë

Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për pavarësinë e Kosovës, deri sa ajo të zërë vendin që i takon në pallatin e qelqtë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky është qëndrimi i zëvendëskryeministrit, njëherësh shefi i diplomacisë, Ilir Meta, i cili gjatë një takimi me mediat, ka reaguar mbi deklaratat e segmenteve të caktuara në Kosovë lidhur me takimin që Meta ka zhvilluar në Tiranë me përfaqësuesin e minoritetit serb në Kosovë, z. Svobodal Petrovic. Sipas këtyre zërave, afrimi i qeverisë shqiptare me segmentet politike serbe mund të dobësojë vëmendjen e Tiranës zyrtare për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Për z. Meta, përmirësimi i marrëdhënieve politike, pse jo dhe atyre ekonomike me Serbinë, është në funksion të politikave ndër-rajonale që i shërbejnë integrimit evropian të Gadishullit Ballkanik. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, njoftoi edhe një nga projektet e afërta të qeverisë shqiptare dhe asaj serbe, pikërisht për nënshkrimin e marrëveshjes 2-palëshe për njohjen e diplomave të studentëve të të 2 shteteve. Nga kjo, sipas Metës, do t'i jepet mundësi shumë studentëve kosovarë nga Presheva, kryesisht që kanë studiuar në Shqipëri, për të pasur një diplomë të vlefshme në Serbi, çka do t'iu shërbejë për t'u futur në tregun serb të punës. “Çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe do të mbetet një prioritet i qeverisë shqiptare, deri sa Kosova të ulet në vendin që i takon në OKB. Dhe për këtë, ka një politikë të qartë dhe ka një vijimësi të padiskutueshme. Për sa i takon raportit të Shqipërisë me Serbinë, nuk shtrohet çështja se Shqipëria kërkon të vendosë një prioritet të jashtëzakonshëm në këto raporte, por duhet të kemi parasysh se politika e Shqipërisë është politika e bashkëpunimit rajonal, është politika e integrimit rajonal si parakusht për integrimin evropian”, - u shpreh z. Meta. Në rastin e vendeve të tjera të Ballkanit, - shtoi ai, - marrëdhëniet e Shqipërisë me këto vende janë të shkëlqyera. Sipas ministrit Meta, në rast se intensiteti i vizitave diplomatike, ekonomike apo i shkëmbimit tregtar është shumë i larta, natyrisht që në raportet e Shqipërisë me Serbinë ka një boshllëk që nuk është i dobishëm për të dyja vendet dhe për vetë atë aspiratë që ne kemi për të mos lejuar zbrazëti të tilla, pasi është një domosdoshmëri e integrimit evropian që të zhvillohen marrëdhëniet më të mira të mundshme me çdo vend të rajonit. “Për më tepër që të gjithë janë të ndërgjegjshëm se marrëdhëniet e mira do të kishin një impakt shumë pozitiv në përgjithësi për klimën e paqes, të prosperitetit dhe të bashkëjetesës në rajonin tonë”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Ai u pyet nga gazetarët edhe për qëndrimin e tij në lidhje me deklaratën e Dinosha-s, lideri i UDSH-së në Malin e Zi, i cili ka shprehur një akuzë, sipas së cilës, qeveria shqiptare nuk po bën mjaftueshëm për pakicat shqiptare në Malin e Zi. “Në Malin e Zi jemi takuar me përfaqësues të forcave politike shqiptare atje dhe vazhdimisht në axhendën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Malin e Zi, janë jo vetëm takimet me përfaqësues shqiptarë, por edhe angazhim për çështjet që i preokupojnë”, - tha z. Meta. Ata, - shtoi ai, - kanë pasur dhe do të kenë mbështetjen e Shqipërisë, ashtu sikurse ne u kemi kërkuar edhe të realizojnë një bashkëpunim më të mirë brenda vetes së tyre, në mënyrë që të paraqesin në mënyrë sa më të besueshme kërkesat e tyre për një integrim edhe më të denjë të tyre, sipas standardeve evropiane. Meta bëri të ditur se vëmendja jonë ka qenë edhe deri në skajet më të largëta ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi, deri edhe në Plavë e Guci dhe do të vazhdojë e tillë kudo që jetojnë shqiptarët. Edhe në Ukrainë, ku, ju e dini që ka në komunitet shqiptarësh, edhe ndaj tyre do të vazhdojmë të jemi të vëmendshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›