Vrasja e emigrantit 32-vjeçar, arrestohen edhe dy bashkëpunëtorët
Policia e Fierit ka vënë në pranga dy bashkëpunëtorët e vrasjes së 32-vjeçarit. të kryer para pesë ditësh. Ndërkohë që i dyshuari kryesor për këtë ngjarje, 18-vjeçari Miço Osmani, u ndalua në mbrëmjen e së shtunës. Pas 48 orë kërkimesh në prangat e uniformave blu kanë rënë 17-vjeçarët Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani. Ndërkohë që policia ka ndaluar edhe shtetasin Thanas Abedini, i cili akuzohet për përkrahje të autorëve. Tre adoleshentët e etnisë rome akuzohen për vrasjen e 32-vjeçarit Leonard Hazizaj. Trupi i viktimës u gjet i masakruar në një nga tunelet e braktisura të ushtrisë, në fshatin Levan të Fierit, ditën e shtunë, 48 orë më vonë, pasi kishte ndodhur vrasja.
Autori i dyshuar i ngjarjes, 18-vjeçari Miço Osmani, pranoi se ishte autori i vrasjes së Hazizajt. Ai deklaroi se e kishte kryer këtë krim, pasi viktima i kishte vrarë të atin në vitin 1997, duke e lënë jetim atë. Megjithatë, të afërmit e familjes së viktimës kanë hedhur poshtë pretendimet e adoleshentit, duke i kërkuar policisë që të gjejë motivet e vërteta të kësaj ngjarjeje. Dy adoleshentët u arrestuan në mëngjesin e ditës së djeshme. Sipas burimeve nga policia, ata po përpiqeshin që të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, për t’iu shmangur arrestimit. Për këtë do të ndihmoheshin nga Abedini, një i afërm i tyre.
Ngjarja
Viktima ishte nisur për vizitë tek e fejuara e tij në fshatin Frakull të këtij qyteti. I ndjeri, sipas burimeve policore, dyshohej për shpërndarje parash të falsifikuara dhe ishte i afërm i një punonjësi të policisë së Fierit. Ai ishte duke shkuar tek e fejuara e tij me një tortë, për të uruar ditëlindjen e saj, kur mendohet të jetë rrëmbyer, mbajtur peng për disa orë në ambientet e tunelit dhe më pas është ekzekutuar me pistoletë. Viktima mendohet të jetë vrarë dy net më parë dhe besohet se vendi ku u gjet është i njëjtë me atë të ekzekutimit. Sipas po të njëjtave burime, Leonard Hazizaj, 32 vjeç, nga Fieri, ishte kthyer pas tetë vitesh emigrimi nga Greqia, u gjet i hedhur në një cep rruge pak të rrahur nga kalimtarët, pranë një tuneli në ish-repartin e Artilerisë në Levan, në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës. Ishin kalimtarë të rastësishëm, konkretisht banorë të zonës, të cilët panë trupin e pajetë që gjendej i flakur në anë të rrugës. Viktima ishte qëlluar me automatik në kokë dhe trup, me pesë plumba, duke i shkaktuar dëmtime që vështirësuan identifikimin e tij. Forcat policore dhe agjentët e Antikrimit së bashku me familjarët, bënë të mundur identifikimin e viktimës dhe zbardhën detaje nga ngjarja. Viktima ishte fejuar me një vajzë rreth 20 vjeçe në Frakull të rrethit Fier. Mbrëmjen e së enjtes, ai ishte nisur për tek e fejuara, me rastin e ditëlindjes së saj. Gjatë rrugës për në banesën e saj, me automjetin e tij, një veturë tip “Nissan” me targa greke, mendohet të jetë ndalur nga autorët e ngjarjes, të cilët e kanë shtyrë deri në tunelin e ish-repartit të tankeve, ku edhe e kanë torturuar e vrarë dhe më pas janë larguar me makinë, duke e lënë viktimën aty.