E Diel, 1 Nëntor 2026

Rëndësia e hetimit, Kryeprokurorja takime në Francë me homologët



Tiranë - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, po zhvillon një vizitë disaditore pune në Francë, bënë të ditur dje burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë kësaj vizite, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama ka zhvilluar takime me Jean-Claude Marin, Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit, Jean-Michel Bruntz, Avokat General, Prokuror pranë Gjykatës së Lartë, Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjithashtu ajo ka takuar Jacques Degrandi, Kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Parisit, me të cilin ka diskutuar mbi rolin e hetimit dhe funksionimit të Gjykatave të Krimit. Ndërkohë që, një tjetër takim i rëndësishëm i saj, ishte edhe ai me Laurent le Mesle, Prokurorin e Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Parisit. Gjatë qëndrimit në Francë, Kryeprokurorja Ina Rama do të realizojë një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve homologe dhe të linjës.

Zbulohet parcela me fidanë hashashi, në kërkim pronari

Elbasan - Një parcelë e mbjellë me bimë hashashi është zbuluar në periferi të Elbasanit. Zbulimi është bërë dy ditë më parë pasi policia e Qarkut të Elbasanit kishte marrë sinjalizimin se në rrethinat e Elbasanit kultivohej hashash. Seksioni i Luftës kundër Kultivimit të Lëndëve Narkotike pasi konfirmoi të dhënat dhe evidentoi në periferi të fshatit Shushicë të Elbasanit shumë pranë pyllit me pisha një zonë të mbjellë me Cannabis sattiva. Policia sekuestroi 332 fidanë në cilësinë e provës materiale dhe asgjësoi 15 të tjerë. Fidanët ishin në prag zhvillimi dhe për mbrojtjen e tyre dhe rritjen e shpejtë ishin mbuluar e shishe plastike duke krijuar kështu një minisere. Puna e policisë tani është përqendruar në gjetjen e pronarit të tokës që ka kryer veprën penale, atë të kultivimit të bimës së hashashit.

Shisnin lëndë narkotike, policia i kap në flagrancë me 50 gram Cannabis sattiva

Durrës – Shisnin në bashkëpunim lëndë narkotike, por kanë arritur të kapen në flagrancë nga forcat e policisë. Sipas të dhënave, policia ka mundësuar arrestimin e 21-vjeçarit Endrit Koçi dhe 29-vjeçarit, Elvis Kopani, që të dy banues të qytetit të Durrësit, pasi posedonin lëndë narkotike. Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin shisnin lëndë narkotike të llojit “Cannabis sattiva”, ndërsa në momentin e kapjes iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 50.4 gramë lëndë narkotike. Kapja e tyre u realizua nga shërbimet e seksionit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›