E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovari grindet me policin rrugor,i qëllon makinën me shufër hekuri

30/04/2009  Ngjarja në autostradë, polici fillimisht i kërkoi dokumentacionin e makinës

TIRANE- Një shtetas kosovar që banon në kryeqytet është konfliktuar dhunshëm me një patrullë policie që ishte duke shërbyer në autostradën Tiranë-Durrës. Mësohet se 36- vjeçari, Fejzulla Tereziu, qëllimisht ka goditur me sende të forta mjetin tip “Volsvagen Polo”, e cila i përkiste një efektivi të Policisë Rrugore. Shkak i këtij konflikti është bërë ndalimi i 36-vjeçarit kosovar nga ana e punonjësit të policisë, ku ky i fundit i ka kërkuar dokumentacionin përkatës të mjetit që posedonte i arrestuari. Mirëpo siç duket këtij urdhri nuk i është nënshtruar shtetasi Fejzulla Tereziu, i cili duke përfituar edhe nga qetësia e punonjësit të policisë ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendi i qëndrimit. I ndodhur përpallë kësaj situate efektivi i Policisë Rrugore ka lajmëruar sallën operative si dhe në të njëjtën kohë është vënë në ndjekje të automjetit. Për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë kosovari e ka drejtuar makinën e tij në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës. “Hileja” e 36-vjeçarit është vënë re nga punonjësi i policisë që ishte vënë në ndjekje të tij, ku pas disa metrash afër QTU-së ai ka mundur të ndalojë mjetin që drejtohej nga Fejzulla Tereziu dhe që brenda tij ndodheshin edhe disa persona të tjerë. Pikërisht në këtë moment shtetasi i sipërcituar ka dalë nga makina dhe me një shufër hekuri ka filluar të godasë me forcë mjetin e Policisë Rrugore. Si pasojë e këtyre goditjeve janë thyer dritat e makinën, xhami si dhe janë shkaktuar disa deformime në llamarinë. I ndodhur përballë kësaj situate nga mjeti tip “Volsvagen polo” ka dalë punonjësi i policisë, të cilin shtetasi i arrestuar e ka kundërshtuar me forcë si dhe me fjalë ofenduese. Mësohet se gjatë këtij momenti në ndihme të 36-vjeçarit nga Kosova kanë ardhur edhe personat që ndodheshin brenda automjetit të tij. Ndërkohë që menjëherë pas shkatërrimit të makinës së policisë si dhe të kundërshtimit me forcë të punonjësit të policisë, kosovari së bashku me shokët e tij janë larguar përsëri nga vendngjarja. Efektivi i policisë ka mundur të marrë targën e automjetit ku pas dy ditë verifikimesh është mundur të zbardhet identiteti i autorit të këtij krimi. Në bazë të informacioneve operative të mbledhura nga agjentët e policisë është mundësuar lokalizimi dhe arrestimi në kryeqytet i Fejzulla Tereziut. Gjatë marrjes në pyetje ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e specialistëve të policisë, duke deklaruar para tyre se makinën ja kishte dhënë një shokut të tij. Aktualisht ndaj 36-vjeçarit Fejzulla Tereziut policia ngriti akuzën e “kundërshtimit të punonjësit të policisë” në bashkëpunim, “shkatërrimit të pronës” dhe “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›