E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët: Bashkëpunimi pas tradhtisë së PR-së

30/04/2009  “Pronësi me Drejtësi” marrëveshje politike me LZHK-në

Ofrohen vende në listat e kandidatëve për deputetë

Përfaqësues të shoqatës së pronarëve “Pronësi me Drejtësi” do të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare si pjesë e listave të deputetëve të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Kjo do të mundësohet falë marrëveshjes së nënshkruar mes krerëve më të lartë të shoqatës dhe LZHK-së. Sipas kësaj marrëveshjeje, përfaqësuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” do të bëhen pjesë e listave për deputet në Qarkun e Durrësit, të Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Fierit dhe në Qarkun e Korçës. Kjo marrëveshje me LZHK-në për përfaqësuesit e shoqatës vjen si një përgjigje ndaj mungesës së koherencës dhe mbajtjes së premtimeve që Partia Republikane u kishte bërë atyre më parë për të zgjidhur problemin e pronës në Shqipëri. Kryetari i shoqatës Rrapo Danushi ka thënë se u ishte propozuar marrëveshja për përfaqësim në legjislaturën e ardhshme. Ai tha se përgjigjja pozitive ishte “për t’i dhënë përgjigjen Partisë Republikane dhe se pronarët shqiptarë, të cilët kërkojnë pronat e tyre, kanë të drejtë morale që kësaj partie për tradhtinë që u bëri të mos i japë asnjë gjysmë vote”. Nga ana e tij kreu i LZHK-së Dashamir Shehi tha se shoqata është e mirëpritur në partinë që drejton, por edhe në koalicionin “Poli i Lirisë”, si një kategori e shpërfillur nga qeverisja e djathtë. “Partitë politike nuk i mbajtën premtimet lidhur me pronat dhe çështja e tyre asnjëherë nuk u zgjidh ashtu siç u premtua”, - tha Shehi. Ndërsa Agim Toro, përfaqësuesi tjetër i shoqatës, hodhi poshtë zërat e përhapur më parë për shndërrimin e shoqatës në një parti politike. “Shoqata “Pronësi me Drejtësi” nuk shndërrohet në parti politike, por bëhet pjesë e koalicionit zgjedhor “Poli i Lirisë”, duke vendosur të bashkojë votat me të në kuadrin e një zgjidhje të çështjes së pronës”, - tha Toro. Marrëveshjen e ka vlerësuar si tepër pozitive edhe kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka. Sipas tij, “Poli i Lirisë” është i vetmi koalicion politik që përfaqëson dhe mbron interesat e ish-pronarëve dhe të ish-të dënuarve politikë.

Reagimi i Partisë Republikane

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane Arian Madhi ka vlerësuar si të nxituar vendimin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për të bashkëpunuar me “Polin e Lirisë”. “Me gjithë vlerësimet që kemi për shoqatën, duhet të pohojmë se kritikat e disa individëve të saj ndaj veprimtarisë së Partisë Republikane për çështjen e pronave inspirohen nga qëllime të interesit të tyre të ngushtë politik. Ne shprehim bindjen se deklaratat e tyre, hera-herës dhe denigruese, jo vetëm nuk i kontribuojnë procesit të mirëkuptimit politik, i cili garanton dhe suksesin, por nuk përfaqësojnë gjykimin e shumicës së interesit të pronarëve të ligjshëm”,- tha Madhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›