Kosovë, 18 barrikada në rrugët e veriut
Mediat kosovare bëjnë të ditur se gjatë mbrëmjes së djeshme janë dëgjuar të shtëna armësh në afërsi të Urës së Ibrit në veri të Kosovës. Armët janë përdorur pasi serbët dolën rrugëve për të festuar fitoren e skuadrës serbe të kampionatit evropian në volejboll.
Situata ka kulmuar me provokime edhe ndaj trupave të KFOR-it dhe EULEX, mirëpo gjithçka ka kaluar pa ndonjë incident. Sot veriu i Kosovës ëhstë gdhirë me barrikada që janë vendosur në të gjitha pikat kyçe rrugore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare Bërnjak dhe Jarinjë. Janë 18 barrikada në të gjitha akset rrugore nëpër tërë zonën e veriut të Kosovës.
Serbët po organizojnë turne nëpër barrikada dhe janë të detyruar që të bëhen pjesë e tyre të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe vullnetarë nga qytetet e tjera serbe.
Krerët e komunave paralele serbe në veriun e Kosovës pas një takimi në Leposaviç deklaruan se për çdo barrikadë që do të hiqet nga KFOR, ata do të vendosin dy barrikada shtesë.