E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, 28 Nëntori bëhet festë zyrtare

28 Nëntori bëhet festë zyrtare e shqiptarëve edhe në Kosovë, pa bartur termin “Festa e Flamurit”, por duke u vlerësuar vetëm si “Dita e shqiptarëve”. 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me një shumicë të ngushtë të votave, miratuan të premten projektligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës. Nga 11 festa që u planifikuan nga qeveria në ditën e parë të votimit, u bënë 21. Parlamenti vendosi dje të shtojë edhe tri festa historike shqiptare me emra të modifikuar, pas debatit të ngritur nga shumica e deputetëve për eliminimin e tyre, dhe shtatë festa të minoriteteve, përfshirë edhe dy për serbët. Ligjin për festat e votuan 46 deputetë, 32 ishin kundër, ndërsa 9 deputetë abstenuan.  Para votimit anëtarët e komisionit ‘Ad hoc’ zhvilluan takime të ngjeshura për të arritur një konsensus mbi miratimin e kalendarit zyrtar të festave. Edhe pse emrat kanë ndryshuar, festat e kombit shqiptar tashmë janë zyrtare edhe në Kosovë. 28 Nëntori, “Festa e Flamurit” do të festohet në Kosovë si “Dita e shqiptarëve”, 6 marsi si “Dita e veteranëve” dhe 12 qershori si “Dita e falënderimeve”. Pas miratimit të këtij ligji, deputetët e Kosovës, pozitë-opozitë, kanë paraqitur mendime të ndryshme. Edhe pse partitë në pozitë u shprehën të lumtura që në ligjin për festat zyrtare janë përfshirë me emra të modifikuar, edhe festat 28 Nëntori, 12 Qershori dhe 6 Marsi, partitë opozitare konsideruan se riemërtimi i tyre është një shkelje e rëndë e vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës. Komisioni “ad hoc” i Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mëngjesit nuk ka marrë qëndrim unik lidhur me inkorporimet e tri festave në projektligjin për festat zyrtare. Ata planifikuan përsëri një takim në orën 14:00 për miratimin e këtij projektligji, për të dalë me një deklaratë që këto tri festa të përfshihen në projektligj me një aneks të veçantë. Seanca e Kuvendit nisi me tri orë vonesë, pasi grupet parlamentare nuk kanë arritur marrëveshje rreth projektligjit të qeverisë për 11 festa zyrtare. Në takimet për të zgjidhur këtë çështje të rekomanduar nga paketa e Ahtisarit për një vendim të domosdoshëm janë takuar në mbledhje të përbashkëta shefat e grupeve parlamentare, anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Me këtë votim, Kosova bëhet me 21 festa zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›