E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyten dy fëmijë në Adriatik

• Dy fëmijë nga Bathorja gjenden të mbytur në Adriatik.

DURRES/ OERD ULQINI

Pak metra larg kullës së vrojtimit të Kapitanerisë së Durrësit janë pikasur pasditen e djeshme trupat e fëmijëve, të pajetë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 17:00, në afërsi të zonës së njohur si Vollga, në sheshin “Taulantia”. Vetëm pas më shumë se 3 orësh u bë identifikimi i tyre, në bazë të dëshmive të familjarëve. Doris Nikli, 11 vjeç dhe Bernard Sokoli, 12 vjeç, banorë të zonës periferike të Tiranës janë të mbyturit. Sipas të dhënave të policisë, njoftimi i parë është marrë në sallën operative të saj prej një kalimtari. Ai ka telefonuar se kishte pikasur nga larg trupa njerëzish që nuk lëviznin. Sipas tij, trupat ndodheshin rreth 6 metra larg murit rrethues të portit. Me urgjencë kanë mbërritur aty forcat e rendit, të cilët kanë mundur të hyjnë në thellësinë e ujit, mes shkëmbinjve, për të gjetur e nxjerrë të pajetë dy fëmijë. Ata janë dërguar në morgun e spitalit, ende të paidentifikuar. Nga ekspertiza paraprake fëmijët kishin dhe shenja në fytyrë, të cilat sipas mjekëve mund të jenë shkaktuar nga përplasja në gurë dhe dallgët. Pasi lajmi i rëndë është shpërndarë, në policinë e Tiranës është dhënë alarmi për dy fëmijë që nuk ishin kthyer në shtëpi që prej mëngjesit. Të dhënat e treguara prej familjarëve janë krahasuar me shenjat që kishin fëmijët e pajetë në morg, ashtu si dhe rrobat që mbanin veshur.
Në bazë të krahasimit është bërë identifikimi i viktimave, Dorisit dhe Bernardos, të dy banorë të së njëjtës lagje. Ndërsa pritej mbërritja e familjarëve në Durrës, policia ka nisur hetimet mbi shkaqet e vdekjes së dy fëmijëve. Sipas tyre, nisur nga vendi ku u gjetën trupat, ata mund të kenë kaluar shëtitoren për në det nga kurioziteti ose për të zënë peshq. Kjo zonë është e rrahur nga peshkatarët amatorë për shkak të thellësisë së madhe. Aty mungon brezi i rërës dhe mbi ujë ka disa shkëmbinj të thepisur, mbi të cilët mund të kenë kaluar fëmijët. Një tjetër fakt dyshues është se një prej fëmijëve ka qenë i zbathur, ndërsa tjetri ende me këpucë në momentin e gjetjes nga policia. Për ekspertët dyshohet se njëri prej tyre mund të ketë rrëshqitur, ndërsa tjetri mund të jetë hedhur në ujë për ta shpëtuar e për pasojë është provokuar mbytja e të dyve. Pritet që ekspertiza që do të kryhet gjatë natës të saktësojë shkakun e vdekjes së dy të miturve, duke shënuar ngjarjen më të rëndë në këto ditë të ngrohta. Ata mendohen se kanë udhëtuar drejt Durrësit gjatë orëve të paradites dhe rreth mesditës mund të jetë shënuar tragjedia. Në momentin e nxjerrjes në sipërfaqe ata nuk jepnin asnjë shenjë jete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›