Kosove, NATO pergatitet qe pas qershorit te reduktoje forcat e KFOR

Prishtinë, 4 mars, 09:43, NOA – Aleanca e Atlantikut të Veriut po merr në konsideratë
diskutimet për një reduktim të forcave ushtarake të KFOR-it në shtetin e ri të Kosovës.
Sipas një deklarate të zëdhënësit të këtij organizmi, James Appathurai, një gjë e tillë bëhet pasi disa vende besojnë se misioni paqeruajtës është shumë i madh dhe Kosova e ka kaluar fazën për ta merituar atë.
"Është e mundshme se do të ketë diskutime për modifikimin e strukturës së KFOR-it, që do të implikonte diskutime lidhur me reduktime të mundshme" tha zëdhënësi Appathurai, raporton AFP.
Sipas tij, "këto diskutime do të jenë të mundshme në qershor, por jo më herët", çka do të thotë se deri në verë, Kosova do të vazhdojë të mbikëqyret nga të njëjtat forca të KFOR-it.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, ka hedhur poshtë pretendimet beogradase se pas reduktimeve prania e KFOR-it do të jetë "simbolike".
Në fund, lidhur me këtë çështje, zëdhënësi Appathurai tha se një numër i vendeve të caktuara besojnë se mund të përballohet reduktimi.
Sipas tij, është herët gjithsesi që të flitet nëse do të ketë konsensus për këtë çështje.
n.e/NOA