E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Qeveria miraton 9 projektligje të rëndësishme

Prishtinë (start)-Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar sot nëntë projektligje të rëndësishme për shtetin e ri. Kështu, janë miratuar Projektligji për Gjykatën Kushtetuese, Projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Projektligji për Shërbimin Konsullor të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës, Projektligji për të huajt, Projektligji për Rezervat Shtetërore të Mallrave, si dhe Projektligji për Këshillin e Përkohshëm Gjyqësor të Republikës së Kosovës si një zgjidhje të përkohshme për bartjen e kompetencave në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë.

Projektligjet e tjera kanë të bëjnë me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shëndetësinë, me Auditimin e Brendshëm dhe me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Në hapje të mbledhjes së qeverisë kryeministri Hashim Thaçi ka prezantuar emërimin e Behxhet Brajshorit në postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Jonuz Kastratit në postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë e Qeverisjes Elektronike 2009-2015, me të cilën, siç u tha, Kosova pretendon të jetë vendi i parë në rajon dhe në mesin e dhjetë vendeve të Evropës që do të funksionalizojë qeverisjen elektronike.

“Qeverisja elektronike ka qenë një nga prioritetet e qeverisë së Kosovës që nga dita e parë dhe kjo do të jetë edhe një shtyllë e fuqishme për zhvillimin e vendit”, ka vlerësuar kryeministri Hashim Thaçi.

Qeverisja elektronike do të nënkuptojë ofrimin e shërbimeve të institucioneve qeveritare përmes teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për qytetarët, bizneset dhe kategoritë tjera.

“Qeverisja elektronike është qeverisja e mirë”, është shprehur ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami pas aprovimit të kësaj strategjie.

Qeveria ka shqyrtuar kërkesën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur për të angazhuar staf shtesë në punën e këtij komisioni që do të rris efikasitetin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit, si dhe çështje të tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›