E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, publikohet uniforma e re e FSK-së

Prishtinë (start)-Forca e Sigurisë së Kosovës do të përbëhet nga 2 500 pjesëtarë aktivë e 800 rezervë, sipas ligjit, ka 9 grada për oficerë – nga ajo Nëntogerit deri te Gjeneral-lejtnanti, dhe 6 për nënoficerë – nga Ushtari deri te Flamurtari. FSK ka emblemën dhe gradat e veta dalluese, të dizenjuara ekskluzivisht, dhe ato do të barten në uniformat e kamuflazhit, me ngjyrë të gjelbër, të cilat janë donacion i SHBA-ve, dhe përfshijnë gjithashtu beretën e zezë. Emblema e FSK-së është Flamuri i Republikës së Kosovës, bartet nga të gjithë pjesëtarët, e vendosur në uniformë në pjesën e sipërme të krahut të majtë.

Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, duke i bërë publike uniformën, emblemën, shenjat, gradat dhe rregulloret e punës për FSK-në tha se “sot është një ditë e shënuar në historinë e krijimit të FSK-së”. Ai tha se FSK-ja si forcë e uniformuar dhe profesionale do të vlerësohet edhe për mënyrën se si pjesëtarët e saj do të bartin uniformën dhe gradat.

“Një pamje korrekte me uniformë dhe grada të rregullta kërkohet nga të gjithë pjesëtarët e FSK-së. Kjo do të kontribuojë për ndërtimin e një force efektive e me dinjitet të sigurisë”, tha ministri Mujota

Janë nënshkruar sot gjashtë rregulloret e para që normojnë punën e Forcës së Sigursisë së Kosovës (FSK): Rregullorja për Rekrutim në FSK, Kodi i Mirësjelljes i FSK-së, Rregullorja mbi Bartjen dhe Përdorimin e Armëve nga FSK, Kodi Disiplinor i FSK-së, Rregullorja mbi Pushimet për FSK, Rregullorja mbi Emblemat dhe Simbolet për Forcën e Sigurisë.

Miratimin e këtyre dokumenteve e nënshkroi ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Fehmi Mujota. Ministri Mujota paralajmëroi se pas festave të fundvitit do të përfundojnë përgatitjet e nevojshme për fillimin e misionit të FSK-së, përfshirë këtu edhe përzgjedhjen e stafit komandues. Ministri Mujota me këtë rast falënderoi për të gjitha mbështetjet për FSK-në.

“Dua të falënderoj SHBA-të që me kohë kanë përmbushur premtimin e dhënë për donacion për uniforma dhe pajisje. Me këtë rast falënderoj edhe Gjermaninë e cila ka ofruar një donacion 7 milionë euro, që nënkupton 204 automjete për FSK-në, si dhe Mbretërinë e Bashkuar e cila ka marrë përsipër trajnimin e Forcës së Sigurisë, dhe vendet e tjera mike”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›