E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-SHBA, nënshkrim memorandumi

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, e kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi, që përcakton angazhimin e qeverisë amerikane për të ndihmuar institucionet e Kosovës për të kryer reforma të ndryshme.

Ky memorandum mirëkuptimi përfshin përkrahjen e mëtejshme të zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke përfshirë përmirësime në menaxhimin e kapaciteteve teknike në administratën tatimore, përmirësimin e partneritetit publiko-privat për të financuar infrastrukturën publike, etj.

Me rastin e nënshkrimit, presidentja Atifete Jahjaga, tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara, kanë një miqësi të përjetshme që është garant i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ky është shembulli i një partneriteti të mirëfilltë, që bazohet ne vlerat e demokracisë amerikane që respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që sigurojnë një zhvillim të proceseve demokratike me pushtete të ndara, me kontroll parlamentar të qeverisjes, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Kosovë, Kristofer Dell, nënvizoi se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet edhe një të arritur tjetër në bashkëpunim dhe miqësi në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Në një mënyrë ky është vetëm një vazhdim i marrëdhënieve, i asaj mbështetjes që e përmendi edhe presidentja, që vazhdon për me shumë se 12 vjet. Dhe në një farë mënyre, kjo vetëm siguron një kornizë pune ligjore përmes së cilës Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të punojnë më Qeverinë e Kosovës, më shoqërinë civile të Kosovës si dhe me institucionet e tjera, në një varg aktivitetesh të ndryshme, që kanë të bëjnë me përforcimin e sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, përforcimin e demokracisë përmes punës sonë në kuvend. Dhe përmes kësaj vegle ne kemi pasur mundësi të punojmë dhe me pakicat e ndryshme kombëtare, që të rigjallërojmë sektorin e energjisë dhe në të gjithë atë varg gjerash, në të cilat kemi qenë të përfshirë”, tha Dell, duke shtuar se një veprim i tillë përbënë edhe një hap tjetër përpara në drejtim të konsolidimit të shtetit dhe institucioneve të Kosovës.

Këto objektiva do të kryhen në partneritet në mes të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe nga ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe agjencitë e tjera relevante.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›