E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës hesh poshtë planin e presidentit Tadiç

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës, hedhin poshtë planin katër pikësh të presidentit serb Boris Tadiç, i cili parashikon që në kuadër të dialogut Prishtinë - Beograd, të diskutohet për manastiret ortodokse, administrimin e tyre, për strukturat paralele serbe në Kosovë, për pronat e serbëve në Kosovë dhe për veriun e Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në qeverinë e Kosovës, Petrit Selimi ka theksuar se qeveria e Kosovës ka përpara një rezolutë të Kuvendit, që përcakton qartë vijat e kuqe përtej të cilave nuk mund të zhvillohen biseda në dialogun teknik me Serbinë.

“Çdo gjë që është konform pikave të planit të Marti Ahtisaarit, atyre principeve që Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare janë pajtuar, është e pranueshme edhe për qeverinë e Kosovës që finalizon pranimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Por, çdo gjë që është jashtë planit të Marti Ahtisaarit dhe që vë në mëdyshje statusin e Kosovës, është e papranueshme për Kosovën”, deklaroi zëvendësministri Selimi.

Edhe udhëheqësja e delegacionit të Prishtinës në dialogun teknik Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, hedh poshtë planin katërpikësh të presidentit serb Boris Tadiç.

“Imagjinata e presidentit Tadiç nuk ka fund. Deri tani ka dhënë shumë plane të tilla, por qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare është shumë i qartë. Ata mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe kërkojnë nga Serbia që të tërhiqet nga ndërhyrja në Kosovë dhe t`i shpërbëjë strukturat paralele”, thotë Edita Tahiri.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet teknike Kosovë-Serbi, Robert Cooper, këtë javë udhëton në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për të caktuar një datë për takimin e radhës Prishtinë-Beograd. Çështja kryesore për diskutim pritet të jetë përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›