E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, deficiti tregtar, 1.2 miliard euro

PRISHTINE- Kosova vazhdon të mbetet e varur nga importi. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës për tremujorin e tretë të këtij viti tregojnë se deficiti tregtar është 1.2 miliard euro. Deri në fund të shtatorit 2009, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej rreth 1.3 miliard euro, ndërsa ka eksportuar mallra në vlerë prej 108 milionë euro.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet se niveli i eksporteve ka rënë për 31.8 për qind, e importet janë zvogëluar për 1.6 për qind.

Rënia e eksporteve dhe importeve, sipas BQK`së, vazhdon të reflektojë efektet e krizës globale që ka ndikuar në zvogëlimin e kërkesës së jashtme dhe asaj të brendshme.
Më së shumti kësaj rënie i ka kontribuuar zvogëlimi i eksportit të metaleve bazë për rreth 50 për qind, të cilat përbëjnë kategorinë kryesore të produkteve që dalin nga Kosova.

“Si rezultat i rënies më të theksuar të eksporteve, mbulueshmëria e importeve me eksporte u zvogëluan në 8.0 për qind nga 11.6 për qind sa ka qenë në shtator 2008”, thuhet në raport.
(Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›