Kosovë, ende larg marrëveshjes për gjykatat në veri
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe misioni evropian EULEX akoma nuk kanë arritur të tejkalojnë mosmarrëveshjet për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatës së qarkut në Mitrovicën veriore.
Mosmarrëveshjet kanë lindur, kur misioni evropian EULEX propozoi dy gjyqtarë serbë për gjykatën në veri, mirëpo të dy gjykatësit serbë më parë ishin emëruar nga presidenti i Serbisë si gjykatës në gjykatat paralele serbe, që akoma funksionojnë në Kosovë.
Kryetari i këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha për Radion Deutsche Welle, se gjykatësit serbë, që punojnë në gjykata paralele serbe në Kosovë, nuk mund të inkuadrohen në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.
"Kjo situatë neve na ka sjellë para një dilemë të madhe. Ne nuk jemi kundër punës dhe integrimit të gjyqtarëve serbë në gjykatat e Kosovës, mirëpo legjitimiteti i dy gjykatësve të propozuar nga EULEX-i mungon për faktin, që ata kanë kaluar në një sistem tjetër gjyqësor dhe automatikisht atyre u ndalohet emërimi në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës", tha Peci.