Lajçak: Kosovën nuk e njohim, bashkëpunim në fusha të tjera
Ministri i Jashtëm i Sllovaksië, u ka thënë autoriteteve më të larta në Prishtinë, se përsa kohë vendimi i vendit të tij për mosnjohjen e Kosovës, nuk është i negociueshëm, duhen bërë hapa dhe lëvizje për të bashkëpunuar në të tjera sfera. Këto komente kryediplomati Slovak Miroslav Lajçak, i bëri të enjten në Prishtinë ku u takua me presidentin Fatmir Sejdiu, kreyministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm kosovar Skënder Hyseni. Sllovakia është një ndër pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, së bashku me Spanjën, Greqine, Rumaninë dhe Qipron. Lajçak ndër të tjera ka thënë se rasti i Kosovës është "sui generis" dhe nuk mund të shfrytëzohet si precedent për asnjë vend tjetër. Pas takimit që pati me Lajçak, kreu i shtetit kosovar , Sejdiu, theksoi se në Kosovë është ndërtuar një realitet pozitiv që ka kontribuar në rritjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, kurse rrota e historisë nuk mund të ndalet e as të kthehet prapa. Nga ana e tij, Lajçak theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe shprehu interesimin e Sllovakisë për bashkëpunim të gjithanshëm me Kosovën dhe në veçanti në fusha që do të lehtësonin jetën e qytetarëve të të dy vendeve. Presidenti Sejdiu edhe një herë i përsëriti ministrit të Jashtëm sllovak, kërkesën e Kosovës për njohje. Ndërkaq Lajçak është takuar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, e gjatë takimit mes tyre, Thaçi e ka vënë theksin tek përkushtimet e qeverisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të vendit, për qeverisjen e mirë, transparente dhe efektive, sundimin e rendit dhe ligjit, respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, si dhe përkushtimet dhe vizionin për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Lajçak është pritur në takim edhe nga Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, me të cilin ndanë pikëpamjet mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me Kosovën. Ministrat Hyseni dhe Lajçak biseduan për shumë çështje, ndërsa u vunë re, qëndrime të ndryshme dhe dallime në qëndrimet dypalëshe , veçanërisht rreth statusit të Kosovës dhe integrimeve evropiane. Në këtë kontekst, ministri Hyseni këmbënguli në qëndrimin e tij, përsa i përket përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të integrimeve europiane, duke theksuar se Kosova duhet që të bëhet pjesë e këtyre proceseve pak a shumë në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.