E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, fillon fushata e balotazhit për 21 komuna

PRISHTINË - Pas mesnatës së sotme fillon zyrtarisht fushata elektorale njëjavore e balotazhit për votimet e 13 dhjetorit për kryetarët e 21 komunave, ku nuk u përcaktuan fituesit gjatë raundit të parë zgjedhor më 15 nëntor.
Aktivitetet e hapjes së fushatës vetë subjektet pjesëmarrëse në balotazh kanë paralajmëruar do të nisin që nga minuta e parë e së shtunës. Në garën për kryetarë komunash janë 17 kandidatë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), 12 të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), 7 të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), 2 të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), 2 të subjekteve politike serbe, 1 i Aleancës Kosova e Re (AKR), 1 kandidat i pavarur.

Në raundin e parë, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ, fitoret në garën për kryetarë janë siguruar në pesëmbëdhjetë komuna. PDK-ja ka fituar në pesë komuna: Ferizaj, Skenderaj, Gllogovc, Shtime dhe në komunën veriore të Zubin-Potokut, të dominuar nga serbët, ku kanë votuar vetëm shqiptarët.
LDK-ja ka fituar dy komuna, kryeqytetin Prishtinën dhe Fushë-Kosovën. AAK-ja ka fituar Deçanin, Gjakovën, si dhe dy komuna veriore, atë të Zveçanit dhe të Leposaviçin, me numër të vogël votash të shqiptarëve.

Partia Liberale Serbe (SLS) ka fituar dy komuna të reja me shumicë serbe pas të procesit të decentralizimit sipas Paketës Ahtisaari, Graçanicën e Kllokotin. Subjekti politik serb Iniciativa Qytetarë për Ranillugun (GIZOR) do të drejtojë komunën po ashtu të re me shumicë serbe të Ranillugut. Partia Demokratike Turke (KDTP) do ta drejtojë komunën e Mamushës, ku shumicë e popullsisë përbëhet nga minoriteti turk.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›