E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot pritet që KLD-ja të vendosë nëse gjyqtarët do të jenë edhe pedagogë



Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të vendosë sot nëse gjyqtarët do të angazhohen në procesin e mësimdhënies. Burime pranë KLD-së pohuan për gazetën “Albania” se në mbledhjen që pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme janë përcaktuar dy çështje për diskutim. E para ka të bëjë pikërisht me miratimin e projektvendimit “Për angazhimin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë në procesin e mësimdhënies” dhe çështja e dytë me
shqyrtimin e ankesës së kryetarit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Vangjush Kallço. Ndërkohë, pritet që të diskutohen edhe çështje të tjera në varësi të propozimeve të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Gjatë analizave nëpër gjykata u diskutua se angazhimi i gjyqtarëve në mësimdhënie ndikonte negativisht në zbardhjen apo arsyetimet e vendimeve në kohën e duhur nga ana e gjyqtarëve. Ndërsa në mbledhjen ku u vendos shkarkimi i të gjithë gjyqtarëve që kishin mëse katër vjet që mbanin postin e kryetarit të gjykatës nisi debati dhe për kryetarin e Krimeve të Rënda. Ky i fundit i shkroi pak ditë më parë presidentit për të mos qenë pjesë e asaj liste për shkak se ligji për krimet e rënda e përcaktonte me 9 vjet mandatin e kryetarit.
L. Rryçi

Shqipëria, memorandum me Malin e Zi për luftën kundër krimit

Shqipëria do të bashkëpunojë edhe me Malin e Zi për të luftuar krimin e organizuar. Kjo do të arrihet falë memorandumit që pritet të nënshkruhet sot mes ministrave të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, Mirash Radoviç dhe ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi mes palëve. Dy titullarët do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, me qëllim harmonizimin e legjislacionit të dy vendeve me standardet europiane dhe ndërkombëtare. Me anë të këtij memorandumi palët do të bashkëpunojnë për çështjet si harmonizimi i legjislacioni kombëtar me standardet europiane dhe ndërkombëtare; modernizimi i sistemit gjyqësor; aftësimi profesional i administratës; zbatim i sanksioneve penale; si dhe bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, pastrimit të parave, korrupsionit dhe terrorizmit.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›