E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse u refuzua aksioni ballisto-partizan për çlirimin e Beratit

Enveri i shkruante Gjin Markut për qëndrimin që duhet të mbante ndaj Ballit Kombëtar: “Insistoni në popull që Balli ka sabotuar luftën tonë”

Gjetë Ndoj

Në vitin 1942 Skrapari bëhet vendi ku lindi e u frymëzua Lëvizja Balliste. Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje ishin intelektualë skraparllinj si Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani etj. “Megjithëse skraparllinj, - tregon Skënder Malindi, - nuk mundën asnjëherë të kishin influencën e Gjin Markut”. Ndoshta kjo edhe për arsyen se Balli u krijua kur misioni që kishin skraparllinjtë me Gjin Markun për lirinë e vendit në luftën kundër fashizmit kishte nisur dhe ishte e pamundur të mbetej në gjysmën e rrugës. Nga ana tjetër, siç e pohojnë bashkëkohësit veteranë të Luftës, na rezulton se një nga meritat e mëdha të Gjin Markut është se ai nuk e shfrytëzoi asnjëherë fuqinë e tij për të djegur e për të vrarë kundërshtarët e tij ballistë. Kjo qe pikërisht pika më e fortë e tij, çka e bënte atë të ishte njeriu më influent jo vetëm në Skrapar, por edhe në Berat, Përmet, Gramsh, Mallakastër, Fier, Lushnjë etj.
Propozimi
Në pranverë të vitit 1943 krerët ballistë Abaz Ermenji dhe Muharrem Kapllani i propozuan Gjinit organizimin e një aksioni të përbashkët ballisto-partizan për çlirimin e Beratit. U ra dakord, por në momentin kur ballistët ngulën këmbë që në shtabin drejtues të këtij operacioni do të kishte tre ballistë dhe vetëm një partizan, Gjin Marku e hodhi poshtë këtë projekt, që mbeti vetëm në letër. Arsyeja kryesore lidhej me faktin se raporti i forcave ishte krejt tjetër në terren, në mënyrë të pakrahasueshme dhe në favor të forcave partizane të udhëhequra nga Gjini. Po kështu, kundërshtimi lidhej dhe me faktin tjetër, se në rast fitoreje, Balli kërkonte të përfitonte në kurriz të forcave partizane kredibilitetin e udhëheqjes së “Luftës”, kur në terren kishin pak forca. Megjithatë, ballistët provuan të nisnin një aksion, i cili dështoi pothuajse pa nisur. Ndërkohë në territoret e Mallakastrës dhe të Fierit e Lushnjës vepronte një qetë kaçakësh që e quante veten çetë balliste, por në fakt ishte më tepër një bandë kriminale dhe deri në atë kohë nuk influencohej nga krerët e Ballit. Komandën e kësaj bande e kishte Isa Toska, i cili jo vetëm ishte vegël dhe bashkëpunëtor i bindur i fashistëve, por kishte kryer shumë krime, duke vrarë, djegur e plaçkitur popullin e pafajshëm.
Ndihma për Mehmet Sheun
Në mes të korrikut 1943, Mehmet Shehu, i cili në këtë kohë vepronte në krye të disa forcave partizane në Mallakastër, i dërgon një letër Gjin Markut, drejtuesit kryesor të lëvizjes antifashiste në qarkun e Beratit, ku dhe Mallakastra bënte pjesë. Kjo letër ishte kërkesë për ndihmë me forca nga Skrapari (që në këtë kohë kishte forcat më të organizuara dhe më të sprovuara në luftë) në luftë kundër italianëve dhe forcave të bandës kriminale të Isa Toskës. Gjini pas kësaj dërgoi rreth 100 partizanë nga Skrapari në ndihmë të forcave të Mehmet Shehut. Pas këtyre veprimeve koordinuese luftarake deri në këtë kohë, si dhe me udhëzimet që kishte dhënë Shtabi i Përgjithshëm, u krijuan kushtet për formimin e Brigadës së Parë Sulmuese, më 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës, njësia më e madhe luftarake deri në këtë kohë. Komandant u caktua Mehmet Shehu, ndërsa komisar Tuk Jakova. Në këtë brigadë Gjin Marku dërgoi nga qarku i Beratit forca që përbënin Batalionin II të Brigadës I, shumica nga Skrapari dhe Mallakastra. Me forcat e tjera të qarkut të Beratit, që nuk u inkorporuan në Brigadën I, Gjin Marku projektoi dhe bëri rrethimin e Beratit, nga Qafa e Pasvanit deri në Vodicë. Po në këtë kohë, Isa Toska me forcat ekstremiste, bashkë me forcat fashiste italiane, përgatitën planin për zhdukjen sipas tij, të së ashtuquajturës “Republika rebele e Skraparit”. Në një bisedë që Isa Toska zhvilloi me komandantin e Xhandarmërisë së Beratit, tha se “do ta bëjmë Skraparin si Abisininë dhe drejtuesin e tij si Negusin” (ish-mbreti i Abisinisë para pushtimit nga Musolini në vitin 1935). Në gjurmët e këtij plani ranë forcat antifashiste dhe Gjin Marku, duke u informuar për detajet e planit, por dhe për deklaratat e mësipërme. “Në këtë situatë, – dëshmon veterani S. Malindi, - sa të lodhej Isaj për të ardhur te ne, vajtëm ne tek ai. Luftimet tona shpartalluese ndaj bandës së tij u zhvilluan në fshatin Luarë (afër Roskovecit)”. Në këto luftime u vranë 5 partizanë. Këtu u plagos për herë të dytë dhe veterani Skënder Malindi, një nga bashkëluftëtarët më të afërt të Gjin Markut. Në krahun tjetër, forcat e Isa Toskës u shpartalluan plotësisht, duke u vrarë me dhjetëra prej tyre, pjesa tjetër u zunë robër. Vetë Isa Toska me vëllanë e tij shpëtoi duke u larguar pa kaqakët e tij (robër e të vrarë). Kjo ishte ngjarja e fundit kundër trupave fashiste italiane pasi më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi nga Lufta II Botërore. Në këtë situatë, pas largimit të ushtrisë italiane në Berat u futën forcat partizane, në krye të të cilave ishte Gjin Marku dhe forcat balliste të drejtuara nga Ali Këlcyra e Abaz Ermenji. Pas largimit italianët i lanë depot të mbushura me ushqime, veshmbathje e armatime, shumicën e të cilave i morën partizanët. Në fillim të tetorit forcat partizane përzunë forcat balliste nga baza e Beratit. Kjo ndodhi për shkak të mosbesimit te Balli, mosbesim që ishte jo dyshim, por bindje tashmë për forcat partizane, por kryesorja kishte të bënte me kundërvënien e ashpër të Partisë Komuniste pas Marrëveshjes së Mukjes. “Çështja e Ballit besoj se s’është nevoja e madhe të të them se si është nevoja për me e zgjidh kudo ku shkoni. Shumë lodra të poshtra po lozin ballistët dhe sidomos krerët e tij. Gjini ka gabuar mjaft. Prandaj pa mëshirë në krerë dhe pak mëshirë më shumë për ushtrinë e tyre prej katundarësh të gënjyer… Të fala Shpati”.
Rrezik luftë civile
Deri në verë të vitit 1943, gjatë Luftës, marrëdhëniet mes partizanëve dhe shqiptarëve të tjerë antifashistë jo vetëm nuk ishin armiqësore, por shpesh dhe bashkëpunuese në luftën kundër fashizmit. Kjo dukuri ishte evidente që në fillim në marrëdhëniet mes forcave partizane dhe atyre të nacionalistëve, si Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Myslym Peza, Dali Ndreu, Baba Faja Martaneshi, Haxhi Lleshi, Mestan Ujaniku etj. Taktika e Partisë Komuniste ishte të shndërronte gjithë përpjekjet antifashiste të këtyre nacionalistëve dhe të shumë të tjerëve në lëvizje të udhëhequr nga PKSH. Ky proces ndodhi që në fund të vitit 1941 e deri në vitin 1943, kur çetat territoriale filluan të transformoheshin në çeta partizane. Pra çetat, përveç komandantëve të tyre në shumicën dërmuese, patën dhe komisarët që ishin emisarët e PKSH-së dhe që kujdeseshin veçanërisht për fitoren pas Luftës të pushtetit nga PKSH-ja dhe vetëm nga ajo. Në fund të këtij procesi Partia Komuniste e arriti qëllimin e saj duke bërë për vete në një kohë mjaft të shkurtër komandantët dhe çetat e tyre, si: Myslym Pezën në Tiranë, Mestan Ujanikun në Skrapar, Haxhi Lleshin në Dibër, Baba Fajën në Mat e Bizë etj., por nuk arriti të fusë në vartësi çetat antifashiste–patriotike të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit të Lumës, Abaz Ermenjit në Skrapar etj. Kështu, deri në vjeshtën e vitit 1943 forcat partizane përbënin forcën kryesore antifashiste në Shqipëri, ndërsa forcat e tjera antifashiste mbetën vetëm fragmente të shkëputura dhe të destinuara të zhdukeshin plotësisht deri në çlirimin e Shqipërisë (29 Nëntor 1944). Ky fenomen pasqyrohet qartë dhe në dokumente historike, veçanërisht në qarkoret dhe porositë që jepte Komiteti Qendror i PKSH-së dhe Enver Hoxha njësive luftarake partizane. Në një letër që Enver Hoxha u dërgon gjithë komiteteve qarkore pas Marrëveshjes së Mukjes, duket qartë tendenca e tij për të dalë edhe kundër delegatëve të PKSH-së që firmosën Marrëveshjen pa kushte dhe me tendencë për të futur gjithçka në dorën e tij.
“Të dashur shokë, lajmëroheni se ju asht dërgue nga Tirana nji trakt për t’u shpërnda, i firmosur prej Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të Këshillit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën N-Ç dhe nuk aprovohet nga Komiteti Qendror i PKSH-së. Prandaj n.q.s nuk e keni shpërnda, çirreni dhe të mos flitet ma… Në rast se trakti është shpërnda, qoftë nga ju, qoftë nga Balli, atëherë nënvleftësojeni, thoni se puna është me luftue me të vërtetë kundra okupatorit dhe për nji Shqipni demokratike dhe jo për të firmosur letra që Balli deri tani i ka kundërshtuar haptas me veprat e tija…. Insistoni në popull që Balli ka sabotuar luftën tonë…. Duhet të demaskoni Ballin me qëllim që ta shkëputni nga populli, jo me luftë të hapët, por në formë apeli. Duhet, shokë, të kuptoni se Balli po mobilizohet për kolltuk, për të na luftue neve - duhet pra, të kemi kujdes të forcojmë radhët tona dhe të mobilizojmë popullin rreth nesh … Të mos lëmë që reaksioni… të na marrë frenat nga duart…. Kini kujdes të mobilizoni këshillat e miqtë. Agjitacioni jonë duhet ta mbulojë 10 herë atë të Ballit… Kini kujdes të rregulloni grupet edukative…, të forconi këshillat, forconi organizatën në Ushtrinë NÇL (pa organizatë të Partisë nuk ka çeta, s’ka luftë Nacional-Çlirimtare)… (8.08.1943). Të fala shoqnore për Kom. Qendror të Partisë Shpati”.
Preokupacioni i vetëm i Enver Hoxhës ishte pra fitorja e pushtetit nga ana e tij nëpërmjet PKSH-së dhe jo lufta, pasi fatet e saj përcaktoheshin nga veprimet e aleatëve: Në Lindje BRSS, ndërsa në Perëndim SHBA-të dhe Anglia etj. “Të dashur shokë … po ju vëmë në dijeni të gjendjes dhe të masave që duhet të merrni, e sidomos në lidhje me situatën e brendshme. Ofensiva e madhe sovjetike e kryer në një stil të gjerë dhe të ri dhe në një front prej më tepër se njëmijë kilometra, shkon pra tuj çlirue qytete dhe krahina të gjëra. Përpara tankseve, avionëve dhe përpara strategjisë gjeniale të shokut tonë të madh Stalin, banda e Hitlerit dhe strategjia e tij gjoja e pathyeshme e gjermanëve pësoi thyerjen e turpshme dhe Ushtria e Kuqe lavdiplotë e udhëhequr prej Partisë Bolshevike po përgatit çlirimin e shpejtë të B. Sovjetik dhe të popujve të tjerë…. Gjendja n’Itali pati një zhvillim shumë të shpejtë mbas hapjes së Frontit të Dytë të Perëndimit, n’Italinë Jugore. Italia u dorëzua pa kondita…”. Mesa duket, që nga kjo kohë Enver Hoxha, veçmas drejtuesve të tjerë, ka qenë shumë më i kujdesshëm për të ardhmen e pushtetit sesa fatet e Luftës, pasi pas goditjes së gjermanëve nga “Ushtria e Kuqe” në Kursk, shënohet në fakt dhe “Perëndimi” i Ushtrisë Hitleriane dhe fitorja e sigurt e “aleatëve”. Gjithashtu, në dokumentet arkivore duket qartë se Shqipëria ishte projektuar të ishte pjesë e sistemit komunist sovjetik të Europës Lindore, ku përfaqësuesi dhe emisari i këtij projekti në Shqipëri ishte fiksuar Enver Hoxha, që kur u themelua PKSH-ja (1941). Në të gjitha dokumentet që kemi parë nuk mundëm të gjenim një dokument ku të shprehej interesimi i Enverit për situatën luftarake mes forcave tona dhe atyre armike-fashiste, humbjet apo fitoret në front, gjendja e forcave tona dhe e dislokimit të forcave armike etj., etj., por gjithmonë preokupacioni i tij për largimin Ballit dhe forcave nacionaliste të tjera nga fronti i luftës kundër fashizmit, qe preokupacioni kryesor i tij.
Letrat e Enverit
Një letër që Enveri i dërgon Gjin Markut dhe Kareman Yllit më 26.09.1943 është një nga dokumentet në të cilat shprehet fryma dhe qëllimi i tij gjatë luftës, por dhe acarimin e marrëdhënies së tij me Gjin Markun, tendencën për të futur nën kontroll gjithë veprimtarinë e drejtuesve kryesorë të luftës dhe “vënien nën zap” të tyre“… shokëve Gjin Marku dhe Karaman Ylli Berat…. Përsa i përket mbajtjes në korrent të nga ana e juaj Komitetin Qendror, është bërë një sëmundje e keqe që ka një vit e ca që po vazhdon. Nuk është puna të na lini dy-tre muaj pa lajme… Është e tepërt t’ju përsërisim dhe një herë se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë puna, por ju sigurojmë se kjo do të jetë hera e fundit që kemi toleruar një gjë të tillë dhe në përsëritje do të marrim masa, të cilat nuk do të jenë në nderin e juaj si komunistë dhe si udhëheqës… Me keqardhje konstatojmë se në një raport prej tetë faqesh të bëra nga dy shokë përgjegjësia dhe drejtues të punës në gjithë qarkun e Beratit, raport drejtuar Komitetit Qendror të Partisë, nuk gjejmë asnjë radhë për gjendjen organizative të Partisë. Puna e Beratit është një mister i madh për ne. Duke qenë në një situatë të tillë, Kom. Qendror i Partisë nuk din si ta ndihmojë atë në terren, nuk din si ta drejtojë këtë organizatë. N.q.s punën e Partisë e merrni me kaq pak seriozitet dhe të mbani në korrent K. Qendror e quani të tepërt, aherë ndryshon krejt puna… nuk është një gabim i rastit… Në qytetin tuaj ekzistojnë dy pushtete, njëri ai i Ballit dhe T’oni. Gjë që s’duhet të ekzistojë. Nuk mund të tolerojmë që Balli të ngrehij pushtetin e vet krahas me tonin, nuk duhet të lejoni dualitet në këtë gjë. Prandaj duhet ta luftoni patjetër këtë pushtet dhe të njihet vetëm t’oni, të luftohet me çdo mënyrë, me propagandë, me mitingje duke folur haptazi në konferenca të gjëra se ç’është Balli dhe njerëzit e tij me radhë… që prej Abaz Ermenjit deri te Fazlli Frashëri. Bashkim nuk ka me Ballin… Shokë, vendosja e pushtetit nuk është një shaka dhe në rast se ne nuk do të dimë të veprojmë si duhet që në ditët e para, të jemi të sigurt se do të gjejmë pengesa të mëdha për më vonë. Këshillat duhet të jenë pushtet i vetëm… Mos kujtoni se tash Berati është i çliruar dhe na lejohet që të bëjmë dhe ndonji lëshim. Lëshimet më tepër se asnjëherë janë një dëm i madh për ne. Komanda ushtarake të veprojë kurdoherë duke e goditur armikun dhe duke vënë gjithmonë forcën e vet për të ndihmuar stabilitetin e pushtetit dhe forcimin e tij. Sot më tepër se kurdoherë duhet të spastroni elementët e poshtër dhe armiq të popullit dhe të Partisë…. Shtabi ju ka kërkuar shumë sende, por asnjë përgjigje s’jepni. Me raportue luftën kundra Isa Toskës ose me çarmatos ushtrinë italiane, është një gjë, me raportue dhe me u interesue për çështjet organizative të Ushtrisë është një gjë tjetër. Këtë pikën e dytë as që ju ka shkue ndër mend me i raportue Shtabit, dhe këtë punë e presim nga komisari i atij grupi, shoku Gjin. Ju keni shkruar për çështjen e elementëve që duhet të dërgoni në Brigadë, për mobilizimin e punëtorëve të Kuçovës, për armatimin e tyre, ndërsa për dërgimin e tyre në vendin ku është caktuar juve nuk na shkruani aspak. Nuk e keni kuptue rëndësinë e këtyre çështjeve dhe moszbatimi i tyre ose neglizhenca shkatërron gjithë planet tona… Komunistët duhet të jenë në radhë të luftës, këtë e kemi thënë kurdoherë, por lufta s’është gjithmonë në grykë të pushkës, është edhe në organizimin e pushtetit dhe të ushtrisë…. Situatat që po krijohen janë në favorin tonë, vetëm duhet të jemi në gjendje t’i dominojmë këto situata. Balli Kombëtar dita-ditës po diskreditohet, dita-ditës ne fitojmë tokën që ata humbasin e këto përfitime nuk vijnë vetvetiu, por me përpjekje… Nuk mjafton të thuaç në popull se Balli s’ka gjë në vijë, por me punën tonë propaganduese të shohë vetë populli se Balli me të vërtetë s’qenka gjë…. Të dashur shokë Gjin dhe Karaman. Kemi bindjen se për sa ju shkruam do të veproni ashtu si ju themi më lart dhe shpejt dhe ju dhe ne do të kemi rezultate të mira. Në rastin e kundërt do ta kemi shumë keq me ju. Shumë të fala për Komitetin Qendror të Partisë (Shpati)”.

28 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›