E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, ministri Shala punëson kushërinjtë në PTK

Gazeta “Zëri” shkruan në numrin e sotëm se në valën e fundit të punësimeve në PTK, në mesin e 30 të punësuarve në këtë kompani, janë edhe dy kushërinjtë e ministrit Shala, me inicialet H. Shala dhe A. Shala (emrat e tyre i posedon gazeta) nga fshati Akrashticë e Vushtrrisë.

Ministri Shala ka qenë i ngarkuar më 13 maj 2010 nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë vendimin për ngrirjen e punësimeve në PTK deri në përfundimin e procesit të privatizimit të kompanisë, ndërsa rreth dy muaj më vonë ai ka shkelur këtë vendim duke mos e refuzuar kërkesën e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, që të punësojë 30 punëtorë të rinj në këtë kompani.

Po ashtu, sipas gazetës, për punësimin e këtyre punëtorëve nuk është shpallur konkurs publik, por PTK-së i është dërguar një listë nga nivelet e larta qeveritare me emrat e kandidatëve që duhet të pranohen.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka dërguar demant lidhur me punësimet e fundit në PTK, duke u arsyetuar se arsyeja e plotësimit të këtyre vendeve është bazuar në nevojën e ristrukturimit të korporatës dhe të lirimit të vendeve për shkak të daljes në pension të punëtorëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Muharrem Shahini, nuk e ka pohuar as mohuar punësimin e dy kushërinjve të Shalës në valën e fundit të punësimeve në PTK, por tha se për punësimet në kompaninë publike nuk vendos ministria. Ai tha se për punësimet në PTK vendos PTK-ja.

Ndërkohë, për punësimet e fundit në PTK reaguan edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Kreu i organizatës “çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se prej vitit 2008 e deri më tani në PTK janë punësuar rreth 2000 punëtorë. Sipas tij, një prej argumenteve për privatizimin e PTK-së ishte se kjo kompani ka mbipunësim, prandaj duhet të privatizohet. /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›