Kosovë, miratohen emrat e 18 ambasadorëve

Liderët kosovarë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, janë pajtuar për emrat e 18 ambasadorëve të parë të Republikës së Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga burime të zyrës së Presidencës së Kosovës. Emrat e 18 të nominuarve për ambasadorë janë dërguar javën e kaluar në qeveritë e shteteve ku Kosova ka vendosur t'i ketë ambasadat e para. Të gjithë këta kanë gjasa reale që të marrin titullin ambasador, sapo të jepet pëlqimi nga qeveritë e shteteve përkatëse. Kjo procedurë mund të zgjasë përafërsisht katër javë. Kjo nënkupton që Kosova do të ketë zyrtarisht ambasadorë para përfundimit të gushtit. Aktualisht nuk janë bërë publikë emrat e kandidatëve për ambasadorë, por sipas gazetës "Express", 10 të Ngarkuarit me Punë, të cilët ishin dekretuar vitin e kaluar, janë në mesin e të përzgjedhurve. Përveç "diplomatëve të vjetër", presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi janë pajtuar edhe për ambasadorët që do të shërbejnë në Holandë, Suedi, Bullgari, Çeki, Hungari, Kroaci, Slloveni dhe Japoni. Përveç ambasadave, në disa shtete do të hapen edhe konsullata.