Kosovë, një ministri plus për AKR-në
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kreu i AKR-së Behgjet Pacolli pritet të takohen sot për të diskutuar për dhënien edhe të një ministrie Koalicionit për Kosovë të Re. Lajmi është bërë i ditur nga mediat kosovare të cilat citojnë shefen e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani.
Plotësimi i kabinetit qeveritar me anëtarë të AKR-së vjen pas largimit të Ibrahim Gashit nga pozita e zv/ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Selmani po ashtu shpreson se presidentja Atifete Jahjaga, në kohën e duhur, pas amandamentimit të Kushtetutës, do të tregohet e përkushtuar që të respektojë marrëveshjen ndërmjet tre liderëve, duke nënkuptuar dorëheqjen e saj dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale gjatë këtij viti.
Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të AKR-së, deklaron se pas largimit të deputetit Emin Gërbeshi, nuk rrezikohet shumica parlamentare e koalicionit qeverisës.