E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, opozita akuza qeverisë për shkelje të Kushtetutës

Kushtetuta e Kosovës vazhdon të mos zbatohet në veri, ku veprojnë strukturat paralele serbe të mbështetura nga Beogradi. Në dy vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, institucionet e Kosovës kritikohen nga opozita për zbatimin e pjesshëm të saj dhe shkelje nga drejtuesit më të lartë të shtetit.

“Tani mund të flasim për sfidat apo ato që nuk janë realizuar e që kanë qenë mision i kësaj Kushtetute. Padyshim e para është shtrirja e autoritetit të saj në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe themelimi i strukturave legale kushtetuese në tërë territorin e Kosovës dhe sidomos në pjesën veriore ku Kushtetuta nuk ka arritur ende të shtrijë autoritetin e saj” thotë deputeti i PDK-së Arsim Bajrami.

“Kushtetuta në përpikëri të plotë po zbatohet për interesat e fiseve të qeverisjes në Kosovë, të krye fiseve ose të shefave të fiseve dhe në asnjë element të shtetësisë së Kosovës, në asnjë element të mirëqenies të shtetasit të Kosovës nuk respektohet” thotë kryetar i LDD-së Nexhat Daci.

Ndërkohë, me rastin e dy vjetorit të Kushtetutës, Lëvizja “Vetëvendosje” ka zhvilluar një protestë duke hedhur bojë të zezë në godinën e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tyre nuk përfaqëson vullnetin e popullit.

“Kjo gjykatë është institucioni më i lartë mbrojtës i një Kushtetute që nuk e përfillë vullnetin e qytetarëve të Kosovës” thotë përfaqësuesi i lëvizjes Frashër Krasniqi.

Me gjithë kritikat e opozitës dhe ekspertëve, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, tha se Kushtetuta ka përmbushur tre misionet e saj kryesore; konstituimin e shtetit, zbatimin e deklaratës së pavarësisë dhe marrëveshjes politike për statusin final të Kosovës, ndërkohë që ka promovuar idenë e një shteti sovran dhe të pavarur, që bazohet në konceptin civil dhe shoqërinë shumë etnike, duke zbatuar standardet më të larta për minoritetet.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›