Kosovë, opozita kundër qeverisë: Po falet pasuria e vendit
Vendimi i qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me kapacitet 2 mijë MË, dhe dhënia me koncesion e minierës së Sibofcit për një periudhë 40-vjeçare, është komentuar nga opozita në Kosovë si falje e pasurisë së vendit dhe vendim që do ta çojë Kosovën drejt realitetit si vendi më i ndotur në Evropë, që do ta pengojë atë të jetë edhe pjesë e BE-së. Kjo ishte deklarata që dha dje Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Lulzim Zeneli. “Është një vendim që Lidhja Demokratike e Dardanisë e konsideron të dëmshëm, dëmton drejt për së drejti interesat e shtetit të Kosovës. Është për habi sjellja e qeverisë së Kosovës ndaj pasurive të Kosovës, ndaj një resursi që është konsideruar në interes strategjik për shtetin, na sjell para dilemave dhe pikëpyetjes së madhe, se deri ku mund të shkojnë këta njerëz”, tha ai. Sipas tij, qeveria e Kosovës, jo vetëm në këtë rast që injoroi rekomandimet e ekspertëve, jo vetëm që ofendoi Kuvendin e Republikës së Kosovës si miratuese e strategjisë e zhvillimit të energjisë së Kosovës, por sjellja e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës në këtë rast, ai tha se i bëjnë që të kuptojnë qartë se ata (ekzekutivi) udhëheqin nga parimet e interesave personale, apo individuale edhe atëherë kur goditet interesi i shtetit të Kosovës. Ndërsa partia ORA, ka deklaruar se dhënia me koncesion për 40 vjet e thëngjillit të Sibovcit do të bëjë që kosovarët të jetojnë në ambientin më të ndotur, madje sipas tyre kjo do të jetë pengesë që vendi t’i bashkohet Bashkimit Evropian, citon “Express”.