Prishtinë, hetime për bombat para qeverisë
Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë intensifikuar hetimet për hedhjen e bombave dhe molotovëve në oborrin e ndërtesës së qeverisë, gjatë protestave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Për këtë rast ende nuk ka të arrestuar. Ngjarja bëri bujë edhe në mediat e huaja. Kjo çështje është marrë me shumë seriozitet nga organet e drejtësisë, pasi menjëherë pas rastit në vendngjarje kanë dalë prokurorët vendas dhe ata ndërkombëtarë. Një nga autorët e ngjarjes, Vesel Aruqi, personi i cili ka drejtuar protestën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe ka pranuar se i kanë hedhur ata mjetet shpërthyese, ka qenë i dënuar edhe më herët për veprën penale të krimit të organizuar dhe marrjes së haraçit, shkruan “Express”. Prokuroria e Prishtinës ka urdhëruar Policinë e Kosovës, që t’ia dorëzojë xhirimet nga kamerat e sigurimit të vendosura në objektet qeveritare. “Këto xhirime ne i kemi kërkuar me qëllim të identifikimit sa më të saktë të personave që ne dyshojmë se kanë të bëjnë me hedhjen e dy granatave në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës”, thotë një zyrtar i lartë i Prokurorisë për “Express”. Personat të cilët kanë hedhur mjetet shpërthyese në protestën e së enjtes, e pranojnë hapur se janë të gatshëm t’i bartin pasojat për këtë veprim dhe se kanë ende forma të tjera protestash për të bërë.