U zhduk me armën e vrasjes,vetëdorëzohet dëshmitari
Vetëdorëzohet në polici i akuzuari për zhdukjen e armës me të cilën u vra 23-vjeçarit Edvil Koço. Policia e kryeqytetit tha dje se në orën 09:30 të mëngjesit, i riu Arben Basho është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, ku është vetëdorëzuar duke pohuar se nuk dinte që ishte shpallur në kërkim dhe se këtë fakt e kishte mësuar nga mediat. Dy ditë më parë policia njoftoi zyrtarisht se 25-vjeçari Basho ishte shpallur në kërkim, pasi kishte qenë i pranishëm gjatë debatit mes 22-vjeçarit Donald Gëzim Pregapuca dhe viktimës Edvil Koço. Ndërkohë pas krimit, sipas policisë, Basho ka rrëmbyer pistoletën dhe është zhdukur. Ndërsa dje para hetuesve të policisë së kryeqytetit Basho ka pohuar se nuk ishte zhdukur me pistoletën e krimit, të cilën pas ngjarjes së rëndë ia kishte marrë autorit. Sapo është vetëdorëzuar në polici ai ka pohuar se pistoletën e kishte lënë te lokali ngjitur me dyqanin e autorit të krimit dhe se pas kësaj ishte larguar drejt banesës. Sapo ka marrë këto deklarime prej 25-vjeçarit Basho, një patrullë policie ka shkuar në vendin e treguar nga i vetëdorëzuari dhe kanë gjetur pistoletën, me të cilën dyshohet se u krye vrasja. Tashmë arma është dërguar në laboratorin qendror të kriminalistikës për t’u ekspertuar, ndërsa ndaj të vetëdorëzuarit është ngritur akuza “zhdukje të provave të krimit”. Vrasja e 23-vjeçarit Edvil Koço ndodhi në orën 15:30 të katër ditëve më parë në një dyqan pjesësh këmbimi në Laprakë. Ai u godit nga një plumb pistolete në kokë, ndërsa gjeti vdekjen rreth një orë më vonë në Spitalin Ushtarak, ku u dërgua me urgjencë. Ndërhyrja mjekësore intensive nuk arriti t’i shpëtonte jetën, pasi Koço kishte pësuar dëmtime të rënda të trurit dhe hemorragji. Për këtë ngjarje policia prangosi 22-vjeçarin Donald Pregapuca, me origjinë nga Përmeti dhe banues në Tiranë. Ky në fakt e pranoi autorësinë që nga momenti i parë, por duke pretenduar se vrasja kishte ndodhur nga pakujdesia. U desh që policia të kryente hetime intensive derisa të zbardhte ngjarjen dhe të zbulonte autorin. Po kështu edhe deklarimet që ka dhënë i arrestuari para hetuesve janë paraqitur kontradiktore, çka ka bërë që hetuesit të dyshonin në versionin e paraqitur nga 22-vjeçari. Gjatë paradites së sotme pritet që 22-vjeçari me origjinë nga Përmeti të paraqitet në Gjykatën e Tiranës, ku do të përballet me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë. Mësohet se gjatë katër ditëve në izolim, i pandehuri Pregapuca ka përsëritur të njëjtin version për ngjarjen, duke pohuar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht. Kurse hetimet e mëtejshme nxorën se shkak për vrasjen e Koços ishte një zënkë banale mes viktimës dhe autorit të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve pritet që ekspertiza e armës së krimit të nxjerrë fakte të vlefshme për hetimet. Ndërsa gjatë paradites së sotme pritet që të arrestuarit Pregapuca dhe Basho të dërgohen në Gjykatën e Tiranës për masë sigurie. Paraprakisht ndaj tyre janë ngritur akuzat “vrasje me dashje” dhe “zhdukje të provave të krimit”. Mësohet se Prokuroria do kërkojë mbylljen e Pregapucës në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Policia: Koço s’u qëllua pa dashje, por u ekzekutua
TIRANE - Menjëherë pas vrasjes së 23-vjeçarit Edvil Koço, i dyshuari si autor i ngjarjes Donald Pregapuca, me origjinë nga Përmeti dhe banues në Tiranë, priti policinë të vinte ta prangoste. Menjëherë ai nisi të rrëfente se vrasjen e kishte kryer nga pakujdesia. Sipas tij, arma i ishte shkrepur në momentin që po e pastronte. Këtë version për ngjarjen e publikoi më pas edhe policia e kryeqytetit, e cila iu referua deklarimeve që ka dhënë në këtë institucion i prangosuri. Por pyetja e dëshmitarëve të tjerë dhe mbledhja e provave në vendngjarje bëri që të lindnin dyshimet e para, se krimi nuk kishte ndodhur nga pakujdesia, por bëhej fjalë për një krim të pastër, “vrasje me dashje”. Po kështu në deklarimet e mëvonshme Donald Pregapuca ka pasur kontradikta, derisa në analizë të provave të tjera mbledhur gjatë hetimeve paraprake, policia ka dalë në konkluzionin se 23-vjeçari ishte ekzekutuar dhe jo të ishte qëlluar nga pakujdesia. Pas hetimeve paraprake Prokuroria pohon se ka zbardhur ngjarjen dhe konfliktin e çastit që lindi mes viktimës dhe autorit, shkak për të cilin u qëllua me pistoletë mbi Edvil Koçon.