Lirohen 2 autorët e sherrit tek ish-blloku,i treti në kërkim
TIRANE – Gjykata e Tiranës caktoi dje masat e sigurisë për tre të rinjtë e përfshirë në një sherr në të gdhirë të së mërkurës në zonën e ish-bllokut, ku u plagos me armë zjarri një kamerier. Sipas vendimit të gjykatës, për dy prej tyre u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për të tretin ajo e “arrestit me burg” deri në përfundim të hetimit të plotë dhe zbardhjes së ngjarjes. Në seancën e masës ndaj Ermir Taullës dhe Denis e Leonard Sakut, mungonte i fundit, i cili është ende i paarrestuar. Ndaj Leonard Sakut gjykata vendosi në mungesë lënien e tij në arrest me burg për veprën penale të “vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë. Për dy të pandehurit e tjerë, Ermir Taulla dhe Denis Sakut, nga togat e zeza u caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Pas konfliktit që degjeneroi deri në përdorimin e armëve të zjarrit, u arrestua fillimisht Denis Saku. Të nesërmen e ngjarjes prangat u shtrënguan edhe në duart e të dyshuarit tjetër si pjesëmarrës në ngjarje, të pandehurit Ermir Taulla. Ndërsa i pandehuri Leonard Saku, për të cilin gjykata caktoi masën më të rëndë të sigurisë, deri ditën e djeshme nuk ishte arrestuar nga policia. “Hesapet” me drejtësinë tre të rinjtë i filluan pak minuta pas orës 01:00 të datës 15 korrik, në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut në Tiranë. Mësohet se ata janë konfliktuar për motive banale me një grup tjetër djemsh dhe më pas e kanë nxjerrë “dufin” më kamerierin e lokalit, ku ishin duke qëndruar. Pasi kanë rrahur fizikisht kamerierin e lokalit L. Zylaj, njëri prej tyre ka qëlluar me një armë zjarri drejt tij, duke e plagosur rëndë. Sipas Prokurorisë, në sherr e sipër papritur Leonard Saku ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në ijen e majtë L. Zylën, i cili është dërguar me urgjencë në spital. Pas të shtënës tre të rinjtë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar në orët në vijim vetëm dy prej tyre, përkatësisht Denis Saku dhe Ermir Taulla. Burimet policore sqaruan se ditën e ngjarjes tre të rinjtë kishin konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli gjatë qëndrimit në lokal, duke krijuar edhe zhurmë. Ka qenë kërkesa e kamerierit për të ulur pak zërin ajo që ka “nxehur” gjakrat dhe ka përfunduar me konfrontim fizik deri në përdorimin e armëve. ar.ba