E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, pritje madhështore për kancelaren Angela Merkel. Merkel, Thaçit: Ndërtoni shtetin ligjor, keni mbështetjen e Gjermanisë dhe BE-së

19-12-2011 / Gazeta 55

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dha mesazhe të qarta për Kosovën. Përpos falënderimit për pritjen e ngrohtë dhe ofrimit të mbështetjes së Gjermanisë për vendin tonë, ajo dha edhe një porosi mjaft serioze. Merkel kërkoi nga institucionet e Kosovës që të ndërtojnë një shtet ligjor dhe demokratik dhe të vazhdojnë me reformat. “Ka ende punë për t’u bërë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe në procesin e dialogut”, ka thënë kancelarja Merkel në konferencën për media së bashku me kryeministrin Thaçi, pas takimit të tyre, ndërkohë që nuk harroi të falënderojë për pritjen që iu bë në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës. 

Merkel foli për rëndësinë që ka zhvillimi i Kosovës drejt një shteti demokratik. 

“Është shumë i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që të bëhet shtet i fuqishëm, demokratik dhe një vend ku luftohet krimi dhe korrupsioni”, tha kancelarja gjermane.

Sa i përket situatës në veri, Merkel tha se ka biseduar me krerët serbë, nga të cilët ka kërkuar implementimin e marrëveshjeve, por shtoi se ka punë edhe nga pala kosovare për t’u bërë, raportojnë mediat e Prishtinës. Kryeministri Thaçi falënderoi kancelaren për rolin e Gjermanisë karshi Kosovës. Ai tha se e ka siguruar kancelaren se Kosova do të vazhdojë të përmbushë kriteret evropiane.

“Ne duam të jemi pjesë e BE-së, një e treta e qytetarëve tanë jetojnë në Bashkimin Evropian dhe vetëm në Gjermani kemi mbi 250 mijë prej tyre”, tha ai.

Kryeministri foli edhe për raportet me shtetet fqinje. Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Thaçi tha se kjo do të ketë vlerë vetëm kur të fillojë implementimi i marrëveshjeve.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se lutet për shërimin sa më të shpejt të ushtarëve gjermanë të KFOR-it, të cilët janë plagosur nga ekstremistët serbë në veri të Mitrovicës.  

Angela Merkel arriti në aeroportin e Prishtinës rreth orës 11:40, ku u nderua nga garda ceremoniale e FSK-së dhe u prit nga homologu i saj kosovar, Hashim Thaçi.

Merkel pritet të vizitojë sot edhe trupat paqeruajtëse gjermane në Kosovë.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›