E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, protokolli i EULEX nuk është çështje e mbyllur

Kundërshtimi i protokollit të EULEX-it dhe Serbisë për Kosovën ka të bëjë me mbrojtjen e interesit nacional, bëjnë të ditur autoritetet në Prishtinë. Sipas tyre, protokolli megjithatë nuk është çështje e mbyllur, pasi për të po bisedohet me Bashkimin Europian. Ndonëse çështja e protokollit të EULEX-it me Serbinë për institucionet e Kosovës ishte shpallur çështje e mbyllur, kjo temë vazhdon të trajtohet në debatet e zyrtarëve kosovarë dhe atyre të BE-së. Njëherazi, të hënën, Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme ka diskutuar çështjen e protokollit edhe me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe në fund i ka ofruar mbështetje Qeverisë dhe presidentit për pozicionin e deritashëm, sipas të cilit asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të nënshkruhet pa institucionet e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se i kishte siguruar deputetët në këtë Komision Parlamentar se qeveria nuk do ta mbështesë zbatimin e asnjë marrëveshjeje në Kosovë, e cila nuk e ka nënshkrimin dhe mbështetjen e institucioneve. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se paralajmërimet e zyrtarëve në Bruksel, nëpërmjet mediave, se protokolli me Serbinë do të nënshkruhet së shpejti, është një formë e presionit që bëhet mbi Prishtinën zyrtare. Gjithësesi, ai tha se pozicioni i kundërt i Prishtinës me Brukselin në këtë rast, nuk do ta dëmtojë bashkëpunimin e Kosovës me BE-në si edhe axhendën e saj integruese në strukturat europiane. Ndërkaq, kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, deputeti Sabri Hamiti tha se i mbështet institucionet në qëndrimet e tyre duke besuar se asnjë marrëveshje nuk ia vlen që të dëmtohen interesat e shtetit të Kosovës. Ai ka konfirmuar vazhdimin e konsultimeve ndërmjet Prishtinës dhe BE-së në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë, Piter Feith, ka vijuar bisedimet në Prishtinë me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, për t'i informuar ata me qëndrimet e fundit të BE-së në lidhje me protokollin mes EULEX-it dhe Serbisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›