E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, sulmi ndaj Thacit, policia arreston 3 persona

PRISHTINE- Policia kosovare ka vënë në pranga 3 persona, të dyshuar si autorë të sulmit të mbrëmshem ndaj eskortës së liderit të PDK-së, njëherësh kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi. Policia nuk jep më shumë detaje vetëm bën të ditur faktin e arrestimit dhe se personat në fjalë po merren në pyetje.

Eskorta e Thacit u sulmua me gurë pas përmbylljes së tubimit parazgjedhor në Deçan, ndërsa u dëgjuan edhe të shtëna me armë. Siç bëjnë të ditur mediat kosovare incidenti ndodhi menjëherë pas daljes nga salla e Shtëpisë së kulturës në Deçan ku Partia Demokratike e Kosovës po zhvillonte një takim në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën.

Ende nuk ka informacione zyrtare për incidentin, por forca të mëdha të sigurisë e kanë përcjellë kryeministrin derisa ai ka kaluar Deçanin. Mësohet se janë dëmtuar veturat e eskortës së kryeministrit Thaçi, ndërsa pas ketij incidenti eskorta ka vazhduar rrugën për në Gjakovë për një tjetër takim elektoral.

Partia Demokratike e Kosovës në një reagim të menjëhershëm pas incidentit akuzoi AAK-në dhe liderin e saj Ramush Haradinaj për sulmin.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›