E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kufiri”, zbardhet nisja e negociatave me Greqinë

TIRANE- Zbardhet enigma se kur filluan zyrtarisht negociatat shqiptaro-greke për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë e Greqisë.

"GSH" zbulon në një shkrim të sotëm kronologjinë e marrëveshjes e cila i dhuron Greqisë,  354. 4 km 2 sipërfaqe ujore të detit Jon.

Në harkun kohor të një jave, qeveria shqiptare ka dhënë tre versione të ndryshme lidhur me periudhën kur kanë filluar negociatat me Greqinë për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy shteteve.

Kronologjia
21 ditë pasi kishte hyrë në fuqi shfuqizimi i bazës ligjore që përcaktonte kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, më (29 shkurt 2008) ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bokojanis zhvillon vizitën e saj zyrtare në Tiranë.

Në takimin me homologun e saj, Lulzim Basha më 20 mars 2008 një nga temat kryesore të bisedimeve ka qenë pikërisht marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar. Ky fakt u konfirmua nga të dy ministrat në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilluan në përfundim të këtij takimi. Nga një verifikim GSH zbuloi se në faqen zyrtare në internet të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, deklaratat e Bashës dhe Bakojanis janë fshirë. Ndërkohë, në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke këto deklarata janë botuar të plota. Ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis gjatë deklaratës së saj të atëhershme specifikoi se, për fillimin e negociatave dypalëshe për përcaktimin e kufirit detar ishte rënë dakord të zhvilloheshin në muajin prill të po atij viti, pra 2008. “Sikundër u shpreh edhe ministri i Punëve të Jashtme, z.Basha ne ramë dakord që në muajin prill ekspertët e të dy vendeve të mblidhen për të diskutuar delimitimin e shelfit kontinental midis Greqisë dhe Shqipërisë”.

Bisedimet që kanë filluar në muajin prill të vitit 2008 përfunduan në 26 prill të këtij viti, kur zyrtarisht Basha dhe Bakojanis nënshkruan në Tiranë marrëveshjen dypalëshe “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Denoncimi
Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Nëpërmjet fakteve bindëse u zbulua se marrëveshja cënonte ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhuroheshin” fqinjit tonë jugor, Greqisë.
Parlamenti shtyu pa afat në datën 15 tetor ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik gjithnjë e në rritje të “Gazeta Shqiptare”. Shtyrja e ratifikimit të marrëveshjes sipas ministrit të Jashtëm, Ilir Meta do të shërbejë për të bërë më shumë transparencë, kur sensibiliteti për këtë marrëveshje është rritur.

Marrëveshja aktualisht po shqyrtohet në Gjykatë Kushtetuese pas ankimimit të 6 partive. GSH gjatë investigimit të saj, ka zbuluar se 3 muaj para se të nisnin negociatat me Shqipëria nuk kishte më bazën e saj ligjore për të mbrojtur ujërat territoriale dhe ato të brendshme.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›