E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,serbët aplikojnë në KQZ me listën qytetare Srbija

Serbia vazhdon të provokojë institucionet e Kosovës, duke dorëzuar për regjistrim dhe certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e subjektit politik Iniciativa qytetare Srbija, si listë unike që do t’i përfaqësojë serbët e Kosovës në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

Listën në KQZ e ka dorëzuar për certifikim Vladeta Kostic, i cili mban postin e të ashtuquajturit kryesues i Rrethit për Kosovën, duke thënë se emërtimi i listës mund të sjellë probleme në KQZ-së. Sipas tij, kjo nuk do të duhej të kuptohej si cenim dhe ofendim për askënd, raporton Tanjug.

Ai ka thënë se njeh edhe shqiptarë që kanë emrin Alban dhe nuk ndihet i fyer me këtë fakt, kështu që ka pretenduar se KQZ nuk do ta shohë si problem certifikimin e kësaj liste me emrin Srbija.

Kjo listë ka mbështetjen direkte nga Beogradi zyrtar si dhe është përpiluar në bazë të preferencave të qeverisë serbe. Përmes saj, Beogradi synon të ketë nën kontroll komunat serbe në veri dhe Asociacionin/Bashkësinë e Komunave Serbe, organ ky që sipas Marrëveshjes së 19 prillit do të formohet pas zgjedhjeve lokale.

Megjithatë, kjo listë do të jetë garuesja e vetme për mandatet e kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë të Mitrovicës veriore, Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit, kurse në komunat e tjera poshtë lumit Ibër, do të ketë edhe subjekte të tjera politike që do të garojnë, përfshirë edhe ato që sot janë pjesë e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›