Kosta Barka emërohet në vend të Gazidedes
Ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, emërohet në postin e zv/kryeregjistruesit në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Pas më shumë se një muaji pushim, ish-ministri Barka i rikthehet administratës së lartë. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, miratoi dje propozimin e kryeregjistruesit Arben Qirjako për emërimin e Kosta Barkës në detyrën e zv/kryeregjistruesit të Republikës. Barka në vitet 1973-1978 përfundoi Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjeologjisë së Minierave. Për tre vjet me radhë ka kryer detyrën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta nga shtatori 2005 - tetor 2008. Nga viti 1997-2000 ka qenë zëvendëskryetar i Bashkisë së Sarandës, në 1994-1996 drejtor i Ndërmarrjes Komunale, Sarandë dhe në vitet 1973-1994 menaxher i Ndërmarrjes së Gjeologjisë, Sarandë. Ish-ministri Kosta Barka u shkarkua nga detyra e ministrit për shkak të përplasjeve mes kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule. 54-vjeçari do të zëvendësojë në detyrë, ish-numrin dy të hipotekave, Bashkim Gazideden, i cili u nda nga jeta rreth një muaj më parë.