Zvicra hyn në Shengen, përfitojnë 150 mijë shqiptarë
Që nga dita e sotme edhe Zvicra inkuadrohet në zonën e Shengenit. Këtë vendim paraprakisht e patën miratuar ministrat e Punëve të Brendshme të 27 shteteve anëtare, të cilat patën lajmëruar se Zvicra i plotëson standardet e domosdoshme të sigurisë që t‘i bashkëngjitet zonës së udhëtimit të lirë në të cilën përfshihen 24 anëtare të BE-së. Këtë vendim e mirëpritën edhe shumica e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, sepse deri tani janë ballafaquar me shumë probleme sa herë që është dashur të kthehen në vendlindje apo edhe të udhëtojnë në shtetet që i përkasin zonës së Shengenit. Pra, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi përfitojnë mbi 700‘000 shtetas të vendeve jashtë BE-së që jetojnë në Zvicër, në mesin e të cilëve edhe rreth 150 mijë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër kanë shtetësi zvicerane. Lidhur me këtë vendim është kontaktuar edhe Hilmi Gashi, sekretar sindikal për migracion në sindikatën "Unia", me seli në Bernë, sindikatë kjo e cila ka bërë shumë për realizimin e këtij vendimi të pritur prej kohësh. "Marrëveshja e Shengenit dhe hyrja në fuqi e saj është lehtësim me rëndësi dhe i mirëpritur nga mbi 700000 shtetas të vendeve jashtë BE-së: Prej 12 dhjetorit ata mund të udhëtojnë nëpër të gjitha shtetet anëtare të Shengenit, pa vizat e zakonshme, të cilat edhe më parë kanë qenë të tepërta. Sindikata "Unia", e cila me vite ka luftuar për heqjen e obligimit për vizë është e kënaqur me vendimin. Një sukses të madh të pjesshëm sindikata "Unia" e pati arritur në vitin 2006, kur ka ndikuar me sukses në heqjen e vizës së transitit, e cila ua ka lehtësuar dukshëm udhëtimin për në vendlindje mbi 700000 shtetasve të vendeve joanëtare të BE-së, në mesin e të cilëve edhe disa dhjetëra mijëra shqiptarë", konstaton Hilmi Gashi, duke shprehur kënaqësinë edhe të shumë bashkatdhetarëve tanë nga viset tona etnike e diaspora që jetojnë në Zvicër.