E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Urdhrat që implikojnë Mediun

Grupi i parë hetimor pohon se ka prova të mjaftueshme për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Fatmir Mediu

"Drafti për SAC, urdhri për caktimin e Gërdecit dhe largimi i ushtrisë, prova kundër Mediut"

TIRANË- "Kemi mbledhur prova të mjaftueshme që vërtetojnë se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës". Pohimi vjen nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, që prej 1 jave i ka dorëzuar dosjen e tragjedisë së Gërdecit, kryeprokurores Ina Rama. Duke shtuar se ka prova të mjaftueshme për t'i kërkuarKuvendit heqjen e imunitetit të Mediut, një ish-anëtar i grupit hetimor tha për "Shekullin" se janë të paktën3 urdhra të firmosur prej tij dhe disa dëshmi që e implikojnë ish-ministrin në këtë çështje. "Dyshimet ndaj ish-ministrit Mediu kanë dalë pas sekuestrimit të vendimeve, urdhrave, shkresave zyrtare dhe dëshmive të kreut të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha dhe atij të Forcave të Bashkuara, Shpëtim Spahiu",-thanë burimet e mësipërme. Tashmë pritet që grupi prej 16 hetuesish, i ngritur pranë Prokurorisë së Përgjithshme të vlerësojë si prova urdhrat e mësipërm, për të nisur më pas procedurat e heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

***

Hetimet për përgjegjësitë e Mediut në tragjedinë e Gërdecit nisin që nga projekt-vendimi i propozuar prej tij në Këshillin e Ministrave, në të cilin përcaktohej kompania SAC si fituese e kontratës për demontimin e armëve. Sipas grupit hetimor, Mediu ka paracaktuar fituesin, para se në qeveri të kalonte vendimi për tregtinë e armëve dhe municioneve luftarake nga kompanitë private. Për këtë akt ai është cilësuar përgjegjës, edhe pse në vendimin e miratuar në Këshillin e Ministrave u hoq emri i kompanisë "Southern Ammuniation". Një tjetër urdhër i firmosur nga ish-ministri Mediu dhe i sekuestruar nga prokuroria është ai që përcakton Gërdecin, si vendin e ngritjes së fabrikës së demontimit. Grupi i parë hetimor bëri dje me dije se legjislacioni shqiptar nuk lejon demontimin e armëve në zonë të banuar, ndaj edhe ky urdhër i Mediut është cilësuar i kundraligjshëm dhe pritet t'u shërbejë si provë edhe prokurorëve të organit qendror të akuzës.

***

Tashmë është fakt që në Gërdec, predhat dhe municionet e rrezikshme çmontoheshin nga punëtorë të pakualifikuar, në një zonë që çuditërisht cilësohej civile e ku nuk mbikëqyrnin forcat e ushtrisë. Po si e argumenton prokuroria përgjegjësinë e ish-ministrit Fatmir Mediu në këto shkelje? Sipas burimeve nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, gjatë kontratës së dytë, MEICO-s i janë dhënë kompetencat e Forcave të Armatosura për mbikëqyrjen e demontimit, edhe pse në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet qartë se ky proces i rrezikshëm duhej bërë nën masa të rrepta sigurie, të kontrolluara prej forcave të ushtrisë. Në morinë e dokumenteve të sekuestruara në zyrën e Mediut, prokuroria pohon se ka gjetur urdhrin e firmosur prej tij, sipas së cilit, ndërmarrja MEICO ishte përgjegjëse edhe për masat e sigurisë në procesin e demontimit, duke lënë "de jure" jashtë Gërdecit forcat e specializuara të ushtrisë që duhej të kontrollonin këtë proces.Por ish-ministri i Mbrojtjes është "tradhtuar" edhe prej vartësve të tij, të cilët e kanë akuzuar si në prokurori ashtu edhe publikisht për Gërdecin, duke shpëtuar deri tani veten. Burimet e mësipërme bëjnë të ditur se shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe kreu i Forcave të Bashkuara, Shpëtim Spahiu, gjatë dëshmive të tyre kanë bërë me dije se nëpërmjet urdhrave të brendshëm, Mediu u kishte hequr kompetencat për të mbikëqyrur procesin e demontimit në Gërdec. Ndër dokumentet e lidhura në dosjen hetimore, që tashmë ndodhet në duart e 6 prokurorëve dhe 10 oficerëve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, janë renditur edhe disa shkresa zyrtare dhe procesverbale të Shtabit të Përgjithshëm, të cilët në disa momente kanë njoftuar ministrin Mediu për vështirësitë e tyre në kryerjen e inspektimit në fabrikën e Gërdecit, pasi nuk lejoheshin nga drejtuesit e kompanisë MEICO dhe firmës "Albademil". Urdhrat që implikojnë Mediun

1-Projekt-vendimi i përgatitur nga Mediu, ku ishte paracaktuar kompania SAC si fituese e kontratës, para se vendimi për tregtinë e armëve dhe municioneve nga kompanitë private të miratohej në qeveri

2- Urdhri për ngritjen e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, i cili mban firmën e ish-ministrit Mediu

3- Urdhri për heqjen e forcave të armatosura nga mbikëqyrja e demontimit dhe kalimi i kësaj përgjegjësietek ndërmarrja shtetërore MEICO

4- Dëshmitë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe kreut të Forcave të Bashkuara, Shpëtim Spahiu, të cilën kanë shkarkuar veten nga përgjegjësitë dhe kanë fajësuar Mediun

Policia e Tiranës shoqëroi dje 3 punëtorë të fabrikës, për t'i pyetur mbi shkaqet e shpërthimit

Shpërthimi, dëshmitë e  3 punëtorëve të fabrikës

TIRANË- Tre punëtorë të fabrikës së Gërdecit shoqërohen në polici, për të dëshmuar rreth shkakut të shpërthimit më 15 mars. Ditën e djeshme, grupi hetimor i formuar për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit ka shoqëruar tre punonjës të fabrikës së çmontimit, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e shpërthimit. Burime zyrtare nga policia thanë se Shefki Sefaj, 35-vjeç, banues në Gërdec, Gëzim Gjoni, 48-vjeç, banues në Vorë dhe Ilir Ramollari, 33-vjeç, banues në Valias, janë tre punëtorët të cilët kanë qenë në fabrikën e çmontimit të municioneve, që momentin që ajo shpërtheu, ndaj dhe janë marrë në pyetje për të rrëfyer të dhëna të dobishme që mund të ndihmojnë grupin hetimor në zbardhjen e motivit të shpërthimit, apo edhe fakteve të tjera nën hetim nga kjo fabrikë.

Shoqërimi

Paraditen e djeshme, grupi hetimor i formuar për zbardhjen e shpërthimit të fabrikës së çmontimit në fshatin Gërdec ka shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës, tre nga punëtorët e kësaj fabrike. Burime nga policia thanë se tre punëtorët janë marrë në pyetje për disa orë me radhë dhe më pas janë lënë të lirë. "Tre personat e shoqëruar ishin punëtorë në fabrikën e çmontimit të predhave në fshatin Gërdec dhe grupi hetimor i ka pyetur ata për rrethanat e shpërthimit të fabrikës",- tha dje për "Shekullin" një zyrtar i lartë në policinë e kryeqytetit. I pyetur për pohimet e punëtorëve ai shtoi: "dëshmitë e tre punëtorëve i kanë kaluar Prokurorisë së Përgjithshme, e cila do të vazhdojë hetimet". Ndërkohë që burimet konfidenciale të policisë thanë se punëtorët kanë treguar se kanë qenë në oborrin e fabrikës, në momentin e shpërthimit, dhe sapo kanë parë flakë ata kanë vrapuar për të shpëtuar jetën.

Dëshmia

Shefki Sefaj, Gëzim Gjoni, dhe Ilir Ramollari kanë dëshmuar dje për hetuesit momentin e shpërthimit të fabrikës së çmontimit, ku ata ishin punësuar. "Kisha rreth 10 muaj që punoja në fabrikë. Në momentin që ndodhi shpërthimi gjendesha brenda në fabrikë dhe jam larguar menjëherë. Brenda pak minutash arrita te shtëpia ime për të shpëtuar fëmijët, duke i strehuar në një bunker. Kisha njerëzit e mi në fabrikë madje nga kjo tragjedi mbeti e vdekur motra ime. Nuk e di shkakun e shpërthimit",- mësohet të ketë thënë para hetuesve Shefki Sefaj ditën e djeshme. Burime nga policia thanë se edhe dy punëtorët e tjerë kanë deklaruar se sapo kanë dëgjuar shpërthimin, që sipas tyre erdhi nga brenda fabrikës, janë larguar me vrap. Gjithashtu, dëshmitarët e tragjedisë së Gërdecit kanë treguar edhe funksionimin e punëtorëve në këtë fabrikë. Tre punëtorët e marrë dje në pyetje nga grupi hetimor nuk janë të vetmit të cilët kanë dëshmuar për rrethanat e tragjedisë, si dhe detaje të tjera rreth punës që ata kryenin në këtë fabrikë. Deri tani janë marrë në pyetje mbi 40 punëtorë të Gërdecit, por ende nuk ka një version të saktë se nga u shkaktua shpërthimi apokaliptik në fabrikën e vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›