Kostandin Lefta, prefekt i ri i Beratit
Dje është emëruar prefekti i ri i qarkut Berat. Ndërrimi i shpejtë i këtij posti bëhet pasi prefekti Thoma Rumnici është kandidat për deputet i PD-së në qarkun e Beratit. Pas shpalljes së emrit të tij në listat e PD-së, ky post ka qenë i drejtuar nga zv prefekti Kostandin Lefta i cili dje ka kaluar zyrtarisht në postin e prefektit. Në një takim në Prefekturë ka qenë Drejtori i Pushtetit Lokal pranë Ministrisë së Brendshme Roland Bejko, i cili ka emëruar prefektin e ri Kostandin Lefta me vendim të kryeministrit Berisha.
Gjatë fjalës së tij, drejtori i pushtetit lokal Bejko, ka thënë se prefekti i ri do të vazhdoj të përmbush detyrat e lëna nga ish prefekti Rumnici. Aktualisht jemi në mesin e zgjedhjeve legjislative dhe në këtë moment është detyrë e rëndësishme që prefekti të monitoroj pasjen e qytetarëve më karta të identitetit. Veçanërisht ata që nuk kanë pasaportë. Ndërsa gjatë procesit zgjedhor ky institucion ka detyrat e tij ndaj dhe në këtë moment të drejtosh postin e prefektit është e vështirë. Gjatë fjalës së tij prefekti i emëruar Kostandin Lefta ka falënderuar qeverinë për detyrën që iu besua ndërsa ka deklaruar se e siguron qeverinë se do të punoj dhe drejtoj këtë institucion të rëndësishëm të qarkut të Beratit me ndershmëri dhe përkushtim.