USAID-i, projekt për dhjetë gjykata të vendit
Si do të bëhet përzgjedhja e gjykatave dhe palët që kanë rënë dakord. Çështjet për të cilat do të monitorohen gjyqtarët dhe si do të vlerësohen ata
Laureta Rryçi
Tiranë - Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), do të financojë një projekt ku do të përfshihen dhjetë gjykata të vendit. Falë një memorandumi mes USAID-it, Ministrisë së Drejtësisë, KLD-së, ZABGJ-së dhe Konferencës Gjyqësore, shumë shpejt do të nisin procedurat fillimisht për të përzgjedhur dhjetë gjykatat pilot që do të përfshihen në këtë projekt. Projekti vjen në vazhdën e reformës në Drejtësi. Palët kanë rënë dakord që projekti të shërbejë për të ulur korrupsionin si dhe për të rritur shkallën e përgjegjshmërisë dhe transparencës në shërbimet publike që ofrojnë këto gjykata. Në projekt do të përzgjidhen gjykata apeli dhe rrethi. Palët nënshkruese janë ftuar nga USAID-i në mënyrë që të kontribuojnë për të arritur misionin e projektit.
Projekti
USAID-i ka menduar se ky projekt do t’u shërbejë këtyre gjykatave për një sërë çështjesh. Kryesisht ato kanë të bëjnë me rritjen e transparencës dhe aksesit të publikut në këto gjykata; përgjegjshmërisë dhe pavarësisë së duhur, kompetencës; paanshmërisë dhe etikës; respektimit të afateve kohore si dhe së fundi besimi i publikut te gjykatat e vendit. Sipas hartuesve të këtij projekti, në momentin që do të ketë shembuj pozitivë këto do të shërbejnë edhe për gjykatat e tjera. Do të krijohet një komision këshillimor teknik i punës, që do të informojë KLD-në mbi mbarëvajtjen e projektit. Ky komision do të raportojë pranë KLD-së një herë në gjashtë muaj.
Përzgjedhja
Tashmë ka nisur shqyrtimi për përzgjedhjen e gjykatave. Paraprakisht janë disa kritere, si diversiteti territorial dhe gjeografik, vullneti për të përdorur sisteme të kompjuterizuara, përkushtimi i qartë i kryetarëve të gjykatave për t’u përfshirë në veprimtari specifike dhe të vazhdueshme për përmirësimin e punës së gjykatës dhe personelit të gjyqësor, si dhe shumë karakteristika të tjera që vlerësohen si të domosdoshme. Për antikorrupsionin, gjykatat pilote është menduar që të mos ketë të njëjtën strategji. Për sistemin e kompjuterizuar USAID-i ka marrë premtimin e Ministrisë së Drejtësisë se së shpejti do të instalohet një sistem unik në të gjitha gjykatat e vendit në lidhje me informacionin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore.
Monitorimi
Ecuria e gjykatave pilote do të monitorohet vetë nga Gjykata Pilote, USAID-i dhe komisioni këshillimor teknik i punës. Ky monitorim do të realizohet në bazë të grumbullimit të të dhënave mbi çështjet gjyqësore si dhe në sajë të disa pyetësorëve në publik apo edhe vlerësimeve të tjera. Ndërkaq, është menduar të shprehin mendimin e tyre edhe organizma të ndryshme civile.
25 Mars 2008