E Diel, 1 Nëntor 2026

NATO mundëson takimin zyrtar të Berishës me ambasadorin e SHBA-ve, Uidhers

Ambasadori i SHBA-ve, dje në zyrën e kryeministrit. Dy personalitetet janë takuar vetëm nëpër ceremonira

Eljona Ballhysa
Anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO ka qenë arsyeja e takimit zyrtar midis kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, Xhon Uidhers. Gjatë mesditës së djeshme Uidhers ka zhvilluar një takim pune me kryeministrin e Shqipërisë në zyrën e tij në Kryeministri, ku në qendër të bisedimeve ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, në Samitin e Strasburgut, që do të zhvillohet në datat 3 dhe 4 prill të këtij viti. Një takim i tillë kishte kohë që nuk zhvillohej midis kreut të Ekzekutivit shqiptar dhe diplomatit amerikan. Dy personalitetet e politikës kohët e fundit ishin takuar vetëm nëpër ceremoni të ndryshme, por jo në zyrat respektive.
Bisedimet
Zyra për shtyp e Këshillit të Ministrave ka bërë të ditur se në qendër të bisedimeve midis palëve ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe masat që ka ndërmarrë qeveria për zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit. Ndërkohë që nuk është thënë asnjë fjalë mbi qëndrimin e ambasadorit amerikan në Tiranë për këto dy çështje të rëndësishme për vendin. Duke e cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarja më e madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë pas pavarësisë së saj, kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit Uidhers mirënjohjen më të thellë për përkrahjen dhe ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria amerikane, në veçanti presidenti Bush, tashmë presidenti Obama dhe administrata e tij, i dhanë Shqipërisë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar për të gjithë shqiptarët. Në takim u diskutua gjithashtu mbi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të zhvillohen më 28 qershor. Kryeministri e siguroi ambasadorin amerikan se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre, si zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare.
Marrëdhëniet
Marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me ambasadorin Uidhers nuk mund të cilësohen si më të mirat e mundshme. Përkundrazi, qeveria, në mënyrë të vazhdueshme ka marrë kritika nga Ambasada Amerikane për shumë iniciativa ligjore apo përpjekje të tjera, të cilat janë lidhur kryesisht me prekjen e pavarësisë së institucioneve të Drejtësisë. Shkaku i krisjes së marrëdhënieve midis Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe qeverisë shqiptare ka qenë shpërthimi tragjik i Gërdecit, por gjithashtu në to kanë ndikuar edhe skandale të tjera të shkaktuara nga qeveria shqiptare, siç është çështja “Fazlliç”. Që nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, në të cilin humbën jetën 26 shqiptarë, qeveria shqiptare ka qenë në epiqendër të mesazheve kritikuese të Ambasadës Amerikane dhe ambasadorit Xhon Uidhers. Diplomacia amerikane ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme hetim dhe zbardhje të plotë të fajtorëve dhe të implikuarve në këtë tragjedi, ndërkohë që ka dhënë mesazhe të drejtpërdrejta ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Berisha për të mos penguar hetimet. Po kështu, ambasadori Uidhers ka shprehur shqetësimin e tij në mënyrë të vazhdueshme për nismat e qeverisë dhe Kuvendit, siç ishte rrëzimin e dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, apo kritikat kundrejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme për të audituar Prokurorinë e Përgjithshme, kritikat për goditjet e Prokurorisë me anë të ligjit “Për Prokurorinë” si dhe për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar nga maxhoranca, kritikat për goditjen e sistemit gjyqësor me anë të projektligjit “Për Gjyqësorin”, si dhe kritikat për ligjin e lustracionit, të miratuar vetëm me votat e maxhorancës.

26 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›