Një nismë që duhet ndalur
Koha më e mirë për të mbjellë një pemë është 20 vjet përpara; koha e dytë më e mirë është tani- Proverb kinez -
PUBLIKU - MËSIME NGA HISTORIA?
Arsimi është shërbim publik. Historia e arsimit ka plot raste kur atë, që nuk kanë arritur ta bëjnë politikanët, e kanë kthyer në përgjegjësi të tyre vetë qytetarët. Që në vitin 1980, për herë të parë në shkollat publike të Edmontonit, u zbatua një formë e vetëmenaxhimit të shkollave, sipas të cilës, përgjegjësitë dhe burimet, iu kaluan shkollave, që administroheshin nga bordet e prindërve dhe mësuesve. Në 1988 u ligjëruan këshillat vetëmenaxhuese të shkollave në Sistemin e Shkollave Publike të Çikagos (Ilinois) që rritën produktivitetin dhe pjesëmarrjen qytetare në arsim. Përvoja të tilla hapën siparin e ciklit reformues të viteve 80-90 në mbarë botën të njohur me emrin "Decentralizimi i arsimit", që amplifikuan zërin e prindit në arsim.
ARSIMI – MËSIME NGA DITËT TONA
Ky vit shkollor mbyll ciklin reformues të arsimit 9-vjeçar. Aktorët, në tërësi, janë të pakënaqur. Vëllim i informacionit nëpër tekstet dhe doracakët, po i le pa mend mësuesit; lista të gjata standardesh për çka duhet të arrijnë nxënësit në fundin e vitit ose lëndës; ndihmë dhe ndikim thuajse i munguar i institucioneve për zhvillimin profesional, pagë dhe kushte pune qesharake për ta etj. Disa prindër po u drejtohen institucioneve private si shpresë për shërbim më të mirë. Të tjerë kurseve private që i sheh sot të zhvillohen në ankese apo dhoma gjumi mësuesish. Nxënësit, ata për të cilët MASh-i dhe agjencitë e tyre vartëse nuk rreshtin sethëni se janë nëqendër të vëmendjes, paguajnë haraçin e paaftësisë së nëpunësve dhe vendimmarrësve injorantë. Bota e re e biznesit, akoma e paorganizuar mirë, nuk po tregon vëmendje dhe as po parashtron kërkesa për atë që nxënësit mësojnë për të qenë të suksesshëm në tregun e punës.
Nëtërësi, arsimi bazënuk rezulton i ndikuar nga reforma, aivazhdon të vuajë nga "kalcifikimi i arterieve". Ka mbetur i korracuar me mënyrat dhe strukturat e vjetra të mësimdhënies. Nxitësit, shpesh, keqpërdoren dhe ekziston rreziku që po të vijojmë kështu, të shkatërrohen dhe arritjet e mësuesve e të drejtuesve të angazhuar dhe të talentuar. Por më e keqja: nuk ka presion të institucionalizuar nga publiku dhe institucionet shkollore për përmirësimin e kurrikulit, nxënies dhe vlerësimit të nxënësve. Dhe kjo ndodh kur vetë ministri i arsimit shprehet: "Me këtë vit shkollor mbyllet reforma e kurrikulit e arsimit bazë, që është përvijuar vite më parë. Me gjithë përmirësimet e kryera, gjykimi i përgjithshëm është se nuk u arrit dot të kapet momenti për të krijuar një kurrikul me karakteristika të dukshme bashkëkohore". [Fragment nga raporti i Ministrit në Konferencën e IV ''Cilësi dhe Barazi në Arsim" Maj, 2008].
NISMA – PËRSE DUHET NDALUR?
Sikundër thuhet, para dy vitesh Instituti i Kurrikulit dhe Trajnimit ka marrë nga MASh-i porosinë për të zhvilluar kurrikulin e gjimnazit. Deklarohet se dokumentacioni po i kalon vendimmarrësit për miratim; se gjimnazet do të kenë të gatshëm dokumentacionin e ri vitinardhshëm; se gjithçka është konsultuar dhe monitoruar nga ekspertë të huaj etj. Sigurisht, sërish nuk do të mungojë deklaratat ministrore se gjithçka që bën MASh-i është transparente dhe e konsultuar me grupet e interesit, por e vërteta është se publiku nuk di asgjë rreth arritjeve të këtij projekti; se ai do të vihet edhe këtë herë përpara faktit të kryer, për t'i thënë, sërish, pas 3 viteve, se nuk u arrit dot të kapet momenti për një reformë efikase. Shkrimi sjell fakte që provojnë se risku i dështimit që bart ky projekt është po aq i madh sa dhe ai i arsimit bazë.
Fakt 1: Për reformimin e arsimit parauniversitar në Kanada u angazhuan 400 + 700 mësues, specialistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme për arsimin bazë dhe të mesëm, që punuan plot 7 vite për t'u dhënë nxënësve dhe shkollave një kurrikul modern. Produkti u mbështet në teoritë moderne për nxënien dhe mundësoi kalimin e natyrshëm të nxënësve nga njëra hallkë në tjetrën.
Fakt 2: Zelanda e Re miratoi në vitin 2007 Kurrikulin Kombëtar për arsimin parauniversitar. Zhvilluesit punuan plot 6 vjet për të mbështetur kurrikulin kombëtar në arritjet më të mira të kërkimit dhe përvojave më të mira. U sugjeroj të interesuarve të konsultojnë portalin e Ministrisë së Arsimit (http://nzcurriculum.tki.org.nz/the_neë_zealand_curriculum) për të parë si realizohen sot reformat në arsim.
Fakti 3: Reformat sistemike ndjekin procedura standarde të mirëpërcaktuara. Pjesë e tyre janë miratimi i dokumentit të politikës kurrikulare me idealin; vizionin dhe filozofinë kurrikulare të arsimit; miratimi i kornizës kurrikulare me strukturën - parimet - fushat kurrikulare - vlerat - kompetencat kyçe - dispozitat kurrikulare; përgatitja e udhëzuesit për hartimin e kurrikulave: programet e studimit, tekstet dhe materialeve didaktike; programet trajnuese; pilotimi, përmirësimet dhe, më pas, kuadri ligjor me ligjet, VKM, udhëzime etj. Ngutja që politika i bën reformimit të arsimit bie ndesh me mësimet e ndryshimit: Ju mund të keni ide, aftësi depërtuese, mendime të ndryshme dhe mund të orientoheni drejt, por kurrë nuk do të dini saktësisht si të veproni. Ju mund ta shtroni udhën tuaj vetëm pasi të keni ecur mbi të.
Fakt 3: Reformat arsimore kur janë sistemike (si në rastin tonë) janë të integruara: në filozofi, koncepte boshtore formuese dhe lëndore, në pedagogji dhe sistemet mbështetëse. Dhe meqë kurrikuli i gjimnazit mbështeten në atë që realizohet në arsimin bazë, do t'i kërkoja me respekt lexuesit të konsideronte edhe një herë gjithë sa u tha më sipër për reformimin e tij. Ose të lexonte disa konstatime tronditëse të Konferencës Shtetërore "Reforma kurrikulare – çështje dhe tendenca zhvillim" (2006): "Procesi i ndryshimit i gjeti mësuesit të papërgatitur, pa informacionin e nevojshëm mbi ndryshimet në kurrikul, të patrajnuar për këto ndryshime, pa infrastrukturën mbështetëse të nevojshme për këto ndryshime (numri i lartë i nxënësve në klasa, pa mjete dhe pajisje mësimore-didaktike), të pamotivuar, pa standarde profesionale të mësuesve, të nevojshëm për vlerësimin e tyre, pa dokumentacionin ligjor të nevojshëm për mbështetjen e ndryshimeve".
Faktet lidhen me profesionalizmin dhe kapacitetin menaxhues. Por, nëse MASh-i, në kuadrin e transparencës, do të mundësonte listat e grupeve të specialistëve, që kanë hartuar programet e studimit, dhe kur shtëpitë botuese do të na njohin me emrat e autorëve të teksteve, do mund ta informojmë publikun për dukuri akoma më "interesante". Jemi të vendosur ta bëjmë edhe pa ndihmën e zyrtarëve. Madje jo vetëm këtë. Çdo vend e konsideron kurrikulin shkollor si thesar kombëtar. Thesaret duan kohë të krijohen, ndryshe nuk janë më të tillë. Tani është radha e Ministrit të ri të orientojë zgjidhjen. Uroj të mos veprojë si paraardhësit e tij.