E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kosumi zgjidhet kryeministër i Kosovës

24/03/2005  Me 71 vota zëvendësohet qeveria e Haradinajt

Me 71 vota pro dhe 36 kundër, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Bajram Kosumin, Kryeministrin e ri të Kosovës. Kosumi u propozua për këtë post nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen pas akuzave të ngritura ndaj tij nga Gjykata e Hagës. Në fjalën e tij para deputetëve, Kosumi tha se programi i qeverisë së tij është vazhdimësi e programit të qeverisë Haradinaj. Ndër pikat e programit, ai përmendi realizimin e standardeve për Kosovën, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin, siç u shpreh ai “të shtetit të pavarur të Kosovës”. Ndër pikat e rëndësishme, ai përmendi procesin e decentralizimit. “Ky proces nuk duhet të ndalet, sepse është i domosdoshëm për shoqërinë tonë dhe për pushtetin tonë, e në veçanti decentralizimi është ofertë për bashkësitë etnike në Kosovë, që të forcojnë bindjet e tyre se ata janë pjesë e pushtetit dhe shtetit tonë”. Në fjalën e tij, Kosumi ka treguar gatishmëri, që në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës të bisedojë me Beogradin për të gjitha çështjet e kontestuara që lidhen me çështjen e Kosovës. “Ne shprehim gatishmërinë që të bisedojmë me Serbinë për të gjitha çështjet kontestuese ose çështjet e pazgjidhura në mes të dy vendeve. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë të gjitha temat të ashtuquajtura teknike dhe të gjejmë një gjuhë të përbashkët për t’i zgjidhur ato. Kjo shkon edhe në të mirë të popullit të Kosovës edhe të Serbisë", tha Kosumi. Ndërkohë, partia më e madhe në opozitë, PDK-ja është shprehur kundër qeverisë së re. Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka sqaruar në një prononcim për "Dojçe Vele" dhe arsyet e votës kundër deputetëve të PDK-së, që është dhe partia më e madhe e opozitës. “Ekzistojnë shqetësime të qytetarëve që kanë ardhur deri tek unë, se kandidatët e propozuar për qeveri janë të implikuar në jetën kriminale politike dhe ekonomike. Dikush vjen edhe nga sfera e organizmave të organizatave paramilitare, që janë të krijuara në kuadër të partive politike në Kosovë. Janë këto arsye që duhet të formohet një komision hetimor parlamentar për të vërtetuar a qëndrojnë këto apo nuk qëndrojnë. Presim që të kemi një informacion a janë të bazuara shqetësimet tona dhe të qytetarëve të Kosovës”, tha Jakupi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›