E Hënë, 2 Nëntor 2026

S´dihet sa toka janë në dispozicion të ish-pronarëve

24/03/2005  Komisioni Bujqësisë pika më kyçe

Komisioni parlamentar i Bujqësisë duket se do të jetë dhe qendra e debatit në caktimin e çmimit të tokës në Shqipëri. Kjo për vetë faktin se në të bëjnë pjesë deputetët që janë përfshirë më shumë në çështjen e ligjit të pronave. Sipas programit të punës, do të jenë deputetët Zydi Pepa dhe Maksim Begeja, që do të paraqesin relacionin mbi këtë Metodikë. Në diskutimet e zhvilluara një vit më parë, Komisioni i Bujqësisë kërkoi që çmimi i tokës të jetë ai i momentit të shpronësimit, duke i shtuar koeficientët e rritjes së çmimit. Kjo është kundërshtuar nga shumica e deputetëve të parlamentit, duke sjellë dhe një debat të ashpër. Duket se e njëjta situatë do të ripërsëritet në Komisionin e Bujqësisë, ku vërejtjet mbi Metodikën do të jenë dhe më të ashpra.

Komisioni i Ekonomisë nis diskutimin për metodikën e pronave

Komisioni i Ekonomisë është i pari që ka hapur diskutimin për Metodikën e vendosjes së çmimit të tokave në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Gjatë takimit, është deklaruar se çështja e çmimeve nuk është e vetmja që ka sjellë pengesën e fillimit nga puna të komisioneve vendore. Anëtarët e Komitetit të Pronave kanë bërë të ditur se ende nuk është bërë e ditur se sa janë toka të lira në Shqipëri dhe se sa aksione zotëron shteti shqiptar në ndërmarrje të ndryshme që do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Duke qenë se burimi kryesor i kompensimit mungon, rezulton se dhe komisionet janë të paafta për të dhënë vendimet, pasi nuk kanë objektin që do t'u japin ish- pronarëve. Megjithatë, miratimi i Metodikës së pronave është vetëm hapi i parë në procesin, i cili pritet të zgjasë dhe më shumë nga sa është parashikuar në ligjin e miratuar më parë.

Çmimet

Gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë, është theksuar se çmimet e tokës bujqësore dhe të asaj truall në Shqipëri janë më të larta se në vendet e tjera të Evropës. Madje, dhe nga Metodika e paraqitur prej Komitetit Shtetëror del se çmimet janë të barabarta me Holandën, që ka dhe vlerat më të larta në Evropë. Një qëndrim të tillë e ka dhenë dhe OSBE, në një raport të paraqitur rreth dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë. Duket se kjo deklaratë ka qenë shkaku i ndërmarrjes së një studimi më të plotë për paraqitjen e çmimit real të tokave.

Debati

Deputeti i Partisë Demokratike në Komisionin e Ekonomisë, Ridvan Bode, në qëndrimin e tij ka theksuar se Komiteti i Pronave nuk ka pse të paraqiste një numër të madh koeficientësh për përcaktimin e çmimit të tokës. Madje, ai vlerësoi se në mënyrën e paraqitur mund të lihet shteg për abuzime të ndryshme që do të sjellë dhe pengesa në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Bode ka theksuar se mënyra më e mirë për të caktuar çmimin është të monitorohet tregu i shitblerjeve për tre vjet. Por, nga ana e tyre, anëtarët e Komitetit të Pronave kanë theksuar se Metodika synon të saktësojë çmimin real të tokës në Shqipëri. Sipas tyre, vlera përcaktohet së pari nga fitimi që sjell një pronë, që shoqërohet me koeficientët e tjerë, si afërsia me tregun, vaditshmëria etj.

Vendimi

Duke parë se Drafti i Metodikës së vendosjes së çmimeve të tokës ishte paraqitur në formë teknike dhe jo të një nisme ligjore, deputetët e Komisionit të Ekonomisë kanë vendosur që projekti të rikthehet, për t'u thjeshtuar. Gjithsesi, ditën e martë, deputetët do të nisin diskutimin në nene konkrete, ku mund të ketë dhe ndryshime të tjera. Gjatë diskutimeve, deputetët kanë theksuar se do të jetë vendimi i parlamentit, që do të përcaktojë më qartë vlerën e tokës në procesin e kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve. Vonesat në miratimin e Metodikës, kanë sjellë shqetësimin për skadimin e afateve që kanë ish-pronarët për të kërkuar pronën e tyre.

Toro: Mbështesim Metodikën

Krerët e shoqatës "Pronësi me Drejtësi", janë shprehur dakord me Metodikën e paraqitur prej Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Agim Toro, është shprehur se Metodika paraqet një rrugë të drejtë për ta cilësuar tokën bujqësore si tokë bujqësore dhe në këtë kuadër vlerësohet pozitive. Në këtë mënyrë dhe ish-pronarët janë shprehur pro miratimit të Metodikës, e cila, synon që të zgjidhë përfundimisht çështjen e vendosjes së çmimit të tokave në procesin e kompensimit. Deklarata e Toros duket se ka sjellë dhe një qetësim të debateve, duke parë se vetë ish-pronarët mbështesin formulën e përcaktuar nga Komiteti Shtetëror. Toro është dhe anëtar i Komitetit të Pronave, ku ka dhënë mendimin e ish-pronarëve në përgatitjen e Metodikës. Ndaj, duket se formula e paraqitur nga Komiteti do të gjejë mbështetjen e partive politike. Gjithashtu, është bërë e ditur se pas përfundimit të diskutimit të Metodikës në Kuvend, Komiteti i Pronave do të zhvillojë një konferencë, ku do të sqarohen çmimet, që do të kenë kategoritë e ndryshme të tokave në të gjithë Shqipërinë. Në konferencë do të tentohet që të sqarohen të gjithë koeficientët, duke paraqitur studimet konkrete për të gjitha rastet.

Sulçe: Fitimi është baza e çimit

Anëtari i Komitetit të Pronave, Sulejman Sulçe, në qëndrimin e tij, theksoi se toka në Shqipëri duhet të vlerësohet në bazë të aftësisë që ka për të prodhuar. Sipas tij, është vjetari i Ministrisë së Bujqësisë, ai që do të përcaktojë se sa do të jetë fitimi neto i tokës bujqësore. Sulçe sqaron se fitimi, duke i shtuar koeficientët përkatës, do të përkthehet në çmimin real. Ndaj, ai ka kundërshtuar idetë e hedhura në Komisionin e Ekonomisë së komiteti i pronave është futur me pa të drejtë në përcaktimin e formulave të ndryshme për çmimin e kategorive të tokave. Në të njëjtin mendim janë shprehur dhe anëtarët e tjerë të Komitetit të Pronave. Nga e tij, zëvendësministri Artan Lame ka theksuar se dhe në përcaktimin e tokës truall në zonat turistike janë marrë për bazë kriteret reale, që çojnë në një çmim më të drejtë. Lame ka mbështetur pikat e propozuara nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave. Diskutantët kanë mbështetur idenë që Metodika të paraqitet më e thjeshtuar dhe në formën e një projektligji në parlament, për të nisur më pas nga procesi i votimit. Burimet kanë bërë të ditur se Metodika do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Bujqësisë, ndërsa më pas do të votohet në seancë parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›