E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Ja kriteret për konsensus

27/04/2010 PS-ja e gatshme të votojë anëtarët e rinj në Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë

“Angazhohemi për votimin e dekreteve me një shumicë të cilësuar”

Partia Socialiste shprehet e gatshme të votojë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Një qëndrim i tillë u bë dje i ditur nga deputeti i kësaj partie Fatmir Xhafaj, i cili gjatë një deklarate për shtyp parashtroi dhe kërkesat që kushtëzojnë mbështetjen e saj në këtë proces. “Partia Socialiste angazhohet solemnisht se do të mbështesë fort politikisht çdo hap pozitiv që i shërben ndërtimit të një procesi konstruktiv për përzgjedhjen e kandidaturave, duke konsideruar pozitivisht edhe propozimin e partnerëve ndërkombëtarë për mundësinë e votimit të dekreteve presidenciale nga Kuvendi me një shumicë të cilësuar”, - vlerësoi Xhafaj gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, po në këtë linjë, sekretari për çështjet ligjore pranë PS-së shtoi se “procesi për përzgjedhjen, dekretimin dhe emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë mbi kriteret e duhura është kusht thelbësor për reformimin e sistemit të drejtësisë, garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës”. Sipas tij, çdo shmangie prej standardeve kushtetuese dhe morale në procesin e përzgjedhjes, dekretimit dhe emërimit të anëtarëve të rinj të këtyre dy institucioneve jo vetëm do të komplikonte të nesërmen e tyre, por do të kishte një ndikim të padëshiruar në të gjithë sistemin e drejtësisë në vend, si dhe do të komprometonte rëndë reformën e mundimshme dhe jo gjithmonë të suksesshme në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu veç këtyre qëndrimeve deputeti socialist deklaroi dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtarë të këtyre dy gjykatave. “Partia Socialiste shpreson se juristët që do të promovohen dhe përzgjidhen si kandidatë duhet të karakterizohen para së gjithash nga vlera të spikatura profesionale në fushën përkatëse, të jenë individë që me integritet të lartë moral dhe profesional gjatë karrierës së tyre, të tillë që garantojnë se janë të aftë të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, të pandikuar nga çdo lloj presioni politik dhe korruptim”, - u shpreh Xhafaj lidhur me një çështje të tillë. Megjithëse parashtrohen të tilla kushte, sërish ligjvënësit socialistë shprehen optimistë lidhur me mbarëvajtjen e një procesi të tillë. “Partia Socialiste dëshiron të besojë se ky do të jetë një proces transparent, i kujdesshëm, i paanshëm dhe i kushtëzuar vetëm nga fryma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Partia Socialiste shpreson se Presidenti i Republikës do të kryejë në mënyrën e duhur misionin e tij kushtetues, se do të realizojë përgjegjësitë e iij institucionale dhe kushtetuese, si pjesë të një projekti afatgjatë e vullnetmirë për zgjedhjet e duhura në këto dy institucione, në këtë moment thelbësor për të sotmen dhe të nesërmen jo afatshkurtër të drejtësisë në Shqipëri”, - theksoi Xhafaj.

Kriteret

“Partia Socialiste shpreson se juristët që do të promovohen dhe përzgjidhen si kandidatë duhet të karakterizohen para së gjithash nga vlera të spikatura profesionale në fushën përkatëse, të jenë individë me integritet të lartë moral dhe profesional gjatë karrierës së tyre, të tillë që të garantojnë se janë të aftë të kryejnë detyrën e tyre kushtetuese, të pandikuar nga çdo lloj presioni politik dhe korruptim.”

Mesazhi

“Rrallë ka ndodhur që të ndërpritet në të njëjtën kohë mandati i një numri kaq të konsiderueshëm gjyqtarësh. Ky fakt i jep Presidentit të Republikës një përgjegjësi të lartë dhe mundësi historike për të ndikuar pozitivisht në mirëfunksionimin e mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. PS-ja dëshiron të besojë se ky do të jetë një proces transparent, i kushtëzuar vetëm nga fryma e Kushtetutës.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›