E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidershipi socialist kontakte telefonike për pjesëmarrjen

27/04/2010 Protesta e 30 prillit e PS-së

Kampi rozë ka nisur përgatitjen për protestën e 30 prillit, duke angazhuar në realizimin e një organizimi të tillë të gjitha strukturat e saj drejtuese nga qendra në bazë. Ndërkohë veç detyrave shpërndarë për çdo degë të saj lidershipi socialist ka përdorimin e një sërë mekanizmash të tjerë mbështetës, me qëllim bindjen e qytetarëve shqiptare për të marrë pjesë në një manifestim të organizuar nga Partia Socialist, ku kërkohet hapja e kutive të votimit dhe ndalimi i rrënimit ekonomik. Kështu, veç protestave në zona të ndryshme të vendit, së fundi kupola rozë ka vendosur që të gjithë qytetarët e Tiranës, përjashtuar këtu vetëm familje të identifikuara nga sondazhet e PS-së si mbështetës të së djathtës, të kontaktohen në telefonat e tyre për të biseduar me ta mbi arsyet pse duhet t’i bashkohen kësaj proteste. Në këtë mënyrë, në kontakte telefonike, ku bëhet e ditur se në shumicën e rasteve është vetë zëri i kreut socialist Edi Rama që kontakton me qytetarët, këta të fundit të mund të binden për t’u bashkuar në shesh më 30 prill. Ndërkohë vetë kryetari i Partisë Socialiste ka nisur një tjetër tur në funksion të këtij aksioni. Kësisoj, gjatë ditës së djeshme kreu socialist ka zhvilluar në mesditë takime spontane derë më derë në zonën e Shkozës. Gjatë këtyre takimeve individuale me banorë të periferisë së kryeqytetit Rama ka dëgjuar rrëfimet e banorëve kryesisht për problemet ekonomike me të cilat përballen përditë. Ai me fletëpalosje në duar u ka shpërndarë personalisht banorëve ftesa pjesëmarrjeje në protestën e madhe më 30 prill në Bulevardin e Tiranës. Banorët janë treguar shumë të gatshëm dhe i kanë ofruar Edi Ramës mbështetjen e tyre për protestën, ku ata sigurisht do të jenë të pranishëm, pasi sipas tyre kjo është shpresa e fundit se mund të shpëtojnë nga regjimi i Sali Berishës. Ndër shqetësimet kryesore të banorëve ishin faturat e shtrenjtuara të energjisë, faturat e shtrenjtuara të ujit, ilaçet që pensionistët marrin pa rimbursim, papunësia e shumë të tjera. Ndërkohë po gjatë ditës së djeshme PS-së organizoi protestën e saj të radhës në Durrës, ku pritet që në ditët në vijim të përfundojnë të gjitha këto organizime, për t’u bashkuar të premten në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›