Kovaçiç debuton me fitore ndaj Besës
Emërimi i Slavko Kovaçiç në pankinën e Flamurtarit ka rezultuar i suksesshëm për skuadrën vlonjate, e cila ka marrë tri pikë në shtëpi përballë Besës pretendente. Tekniku kroat është "ndihmuar" edhe nga portieri Moçka, i kthyer në fushën e lojës pas një dëmtimi, por menjëherë në formën e duhur për të ruajtur portën e tij. Vlonjatët kanë gjetur golin e avantazhit që në minutën e parë me anë të Dedajt, i cili ka shfrytëzuar një gabim të skuadrës kavajase për të shënuar golin e parë. Por pas një këmbëngulje të gjatë të Besës, në minutën e 16-të u vendos baraspesha në shifra, pasi Mancaku arriti të kalonte Moçkën me një gjuajtje të pakapshme. Vlonjatët shënojnë golin e dytë në minutën e 49 të takimit, pasi Brajkoviç shfrytëzon më së miri një kros të Arifajt. Që nga ky moment, në fushë ekziston vetëm Besa, e cila provon me të gjitha mënyrat të shënojë përsëri. Por Moçka tregon edhe një herë se është një prej portierëve më të talentuar të kampionatit, duke bërë disa pritje spektakolare ndaj gjuajtjeve të Shaqirit, Prognit apo Xhihanit. Në përfundim të 90 minutave, Flamurtari merr tri pikë që përforcojnë më shumë vendin e 8-të në renditje, larg zonës së rënies nga kategoria. Ndërsa Besa humb dy vende në renditje, duke qenë tashmë e pesta dhe duke mos pasur mundësinë t‘u afrohet skuadrave të kreut të renditjes për të synuar pjesëmarrjen në luftën për titullin kampion.
SSSASS