E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana, rikthim me humbje, peqinasit fitojnë pa lodhje

Sezoni 2007-2008 ka kthyer makthet e një Tirane që nuk di të fitojë dhe bardheblutë e kanë dhënë provën e radhës në disfatën 1-0 përballë Shkumbinit. Nëse në dy fazat e para të këtij kampionati bardheblutë kanë fituar lehtësisht 2-0 përballë peqinasve, vendasit kanë arritur të rishkruajnë historinë me suksesin minimal 1-0, që ul në vendin e gjashtë Tiranën, e ndjekur pikërisht nga skuadra e drejtuar nga Gugash Magani. Duket se bardheblutë nuk kanë më shpresa për të arritur zonën e Kupave të Evropës nëpërmjet kampionatit dhe me humbjen e djeshme i kanë varur të gjitha shpresat te Kupa e Shqipërisë.

Në fillimin e ndeshjes, Mema ka çuditur përsëri duke lënë në fushë vetëm Xhafajn si titullar të vetëm, me Hykën dhe Duron si mbështetës, ndërsa Fortuzi është ulur në pankinën e rezervave. Gjithashtu, jashtë formacionit mbeti përsëri portieri Nallbani, i cili duket se do të kalojë sezonin e tij të fundit me fanellën bardheblu nëse Mema do të jetë trajner edhe në edicionin e ardhshëm, pasi tekniku ka preferuar përsëri të riun Osmani. Ndërsa vendasit janë paraqitur me një formacion ofensiv, duke kërkuar golin që në minutat e para. Pas disa tentativave radhazi, në minutën e 10-të ka ardhur edhe goli i avantazhit. Pas një goditjeje këndi, Shenaj gjuan në portë, por Osmani është i vëmendshëm duke grushtuar topin. Por Klevis Dalipi ndjek aksionin dhe duke parë hutimin e mbrojtjes bardheblu, gjuan me shpejtësi duke e dërguar topin në rrjetë. Vendasit festojnë këtë avantazh të shpejtë, por nuk harrojnë të sulmojnë përsëri, duke u munduar të shënojnë përsëri dhe të mbyllin ndeshjen. Dalipi, Qorri dhe Roland Dervishi shfaqen disa herë para portës së Osmanit, i cili korrigjon me pritjet e tij gabimet në rreshtim të prapavijës bardheblu.

Në pjesën e dytë, Mema e kupton që duhet të ndryshojë diçka dhe hedh në fushë Bakallin e Fortuzin, duke larguar Gjorevskin e Deliallisin, për të ndërtuar një taktikë më ofensive. Skema rezulton e suksesshme, pasi në pjesën e dytë bardheblutë fitojnë terren dhe provojnë disa herë të shënojnë golin e barazimit. Loja tensionohet, si në fushë, ashtu edhe në pankinë. Si rrjedhojë, gjyqtari Guçe largon nga fusha jo vetëm Maganin, por edhe ish-shefin e tij, Sulejman Mema, të cilët kontestuan thuajse çdo vendim të tij. Ndeshja u mbyll me Tiranën në sulm, por Llani neutralizoi çdo tentativë të bardhebluve, duke siguruar tri pikët për skuadrën e tij, që i afrohet disi grupit të skuadrave që synojnë pjesëmarrjen në Kupat e Evropës. Ndërkohë, Tirana është në vendin e 6-të, vetëm 2 pikë nga Elbasani, kundërshtari i radhës. Por bardheblutë duket se nuk kanë dëshirën e duhur për të fituar ndaj ekipeve më të forta, ndërsa që tani janë hapur zërat se largimi i donatorit Halili ka tensionuar situatën në skuadër.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›