Partizanit i mjafton Abilaliaj, të kuqtë barazohen me Dinamon
Arbër Abilaliaj ka ngjitur Partizanin në vendin e parë në renditje me pikë të barabarta me Dinamon. Qendërsulmuesi ka shënuar dy gola ndaj Teutës, duke i siguruar skuadrës së tij tre pikë që e barazojnë me kreun e renditjes dhe hapin tërësisht kampionatin. Por suksesi 2-1 i Partizanit në transfertë nuk ka qenë krejt i thjeshtë, pasi ka qenë skuadra durrsake që ka gjetur e para golin, pavarësisht dominimit territorial të skuadrës së Likës. Në minutën e 40-të, Mile është shfaqur para Shehit duke ndëshkuar portierin e të kuqve me një gjuajtje të pakapshme me të majtën. Megjithatë, avantazhi i durrsakëve nuk zgjat shumë, pasi në minutën e 54-t, Abilaliaj gjen barazimin me një gjuajtje me kokë që përfundon në rrjetën e portës së mbrojtur nga Vashaku. Partizani shfrytëzon euforinë e momentit, duke mbyllur Teutën në gjysmëfushën e saj dhe duke gjetur pas pak minutash golin e dytë, ku Abilaliaj tregon përsëri se është në një formë të shkëlqyer duke arritur të gjejë rrugën e rrjetës në minutën e 54, pas një depërtimi në zonë. Duke parë edhe mungesën e iniciativës së ekipit vendas, Lika i kursen sulmuesit minutat e fundit të takimit, duke e zëvendësuar për ta ruajtur për takimet e tjera, pas kësaj fitoreje 2-1. Nëse Partizani e mbyll javën me buzëqeshje, Teuta duhet të mendojë për ndeshjet e radhës, pasi vazhdon të jetë në zonën e ftohtë të klasifikimit. Skuadra e Miles është në kuotën e 23 pikëve, aq sa Kastrioti dhe Besëlidhja, ndërsa duket se do të jenë takimet direkte ato që do të përcaktojnë kush do të zbresë nga kategoria.
SSSASS