E Diel, 1 Nëntor 2026

Kozeta dyshohet se kishte një konflikt para vrasjes

18/04/2005  Nga informacione të siguruara operativisht mendohet se Hyesni ka biseduar me një person për problemin

Policia e kryeqytetit, ka siguruar informacione të reja operative rreth vrasjes së studentes vlonjate së degës Gjuhë-Letërsi, pranë Fakultetit Histori-Filologji në Tiranë, Kozeta Hyesni. Dyshohet që ajo të ketë biseduar me një person të njohur të saj, rreth një konflikti që kishte para se të vritej. Policia e kryeqytetit ka hedhur dyshimet se ky konflikt që Kozeta kishte pasur para se të vritej, ka lidhje me motivin e vrasjes së saj dhe autorët. Por ende nuk është pyetur personi në fjalë, që dyshohet të jetë vënë në dijeni nga 21-vjeçarja, vajza e ish-prokurorit të Vlorës, Luftar Hyseni.

Informacioni

Policia e kryeqytetit, që prej vitit të kaluar, ka kryer disa veprime të reja hetimore, për zbardhjen e kësaj çështje. Ndërsa kohët e fundit është siguruar një informacion, nga kanë lindur dyshimet se Kozeta mund të ketë biseduar me dikë për një konflikt që ka pasur. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë Ministrisë së Rendit, të cilat sqaruan se po verifikohen rrethanat e këtij informacioni. Nga burimet, mësohet se në informacion thuhet që dikush që ka pasur njohje me Hysenin, dyshohet të ketë dijeni mbi ngjarjen. Kjo, pasi Kozeta ka biseduar me këtë person, para se të masakrohej për një konflikt që kishte kohët e fundit. Burimet theksojnë se nuk kanë dijeni rreth konfliktit që mund të ketë pasur Kozeta atëherë. Gjithashtu, nuk dihen as personat me të cilët ajo është konfliktuar dhe arsyet. Pritet që të merret në pyetje personi i dyshuar, se ka dijeni mbi këtë konflikt për të zbuluar diçka rreth motivit të ngjarjes dhe autorëve të dyshuar, sqarojnë burimet e policisë.

Hetimi

Prej afro gjashtë vitesh, mbetet ende mister vrasësi i studentes vlonjate Kozeta Hyseni, dhe shkaqet që çuan në masakrimin e saj. Ajo u gjet e masakruar pranë godinës së Kinoklubit në Qytetin Studenti, mëngjesin e 19 shkrutit të vitit 1999. Atëherë mësohet të jenë shoqëruar dhjetra persona të dyshuar si të implikuar në ngjarje, apo për dijeni të rrethanave. Por, asnjëherë nuk u arrit të siguroheshin dëshmi rreth autorëve. Nga informacionet operative të siguruara atëherë prej policisë, personi që e ka thirrur dhe marrë në autoveturë mesnatën e 18 shkurtit rreth orës 23.00, dyshohet të ketë qenë i njohuri i saj. Kjo, pasi ajo u gjet e veshur me teshat që përdorte në dhomë. Burimet sqarojnë se të gjithë personat e dyshuar për dijeni mbi ngjarjen, kanë deklaruar atëherë, se nuk dinin kush ishte personi që e thirri atë natë, kur në godinën nr.25 të Qytetit Studenti, ku banonte Kozeta, mungonte edhe energjia elektrike, e për pasojë ndriçimi.

Vitin e kaluar u pyetën katër persona për dijeni mbi ngjarjen

Në muajin shtator të vitit të kaluar, policia shoqëroi në Komisariatin nr.1 në Tiranë, një çift me banim në Laprakë, si persona të dyshuar mbi dijeni mbi ngjarjen. Një informacion operativ, se kishte mbërritur nga Gjermania vajza që kishte thirrur Kozetën mesnatën e 18 shkurtit, ka bërë që ata të shoqërohen urgjentisht dhe të pyeten për disa orë. Por, nga verifikimet ka rezultuar se femra e shoqëruar, ishte morta e studentes që kishte thirrur Kozetën. Ndërkaq, në dhjetor të 2004-ës mësohet të jenë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, edhe dy persona të tjerë të dyshuar se kishin dijeni mbi ngjarjen. Por, pas marrjes në pyetje, u konkludua se edhe këta të fundit, nuk kishin dijeni për rrethanat e vrasjes së Kozetës dhe autorët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›